Ebola shpërthen mes dhunës dhe krizës humanitare në Kongo, OBSH ngre alarmin

Një krizë e dyfishtë po trondit Republikën Demokratike të Kongos, ku shpërthimi i virusit vdekjeprurës Ebola po përhapet mes dhunës së armatosur dhe krizës humanitare. Provinca Ituri është kthyer në epiqendrën e epidemisë, me mbi 220 vdekje të dyshuara, ndërsa vetëm 17 janë konfirmuar laboratorikisht. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron për një “përplasje katastrofike” mes sëmundjes dhe konfliktit, pasi bombardimet dhe sulmet ndaj qendrave shëndetësore e bëjnë të pamundur izolimin e rasteve dhe gjurmimin e kontakteve.
Punonjësit e vijës së parë po rrezikojnë jetën çdo ditë, ndërsa OBSH ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm për të lejuar akses të sigurt për ekipet mjekësore. Autoritetet shëndetësore raportojnë rreth 1,000 persona me simptoma të ngjashme me Ebolën dhe po përpiqen të gjurmojnë mbi 3,600 kontakte të identifikuara. Deri tani janë shpërndarë 2,000 teste, ndërsa 4,000 të tjera janë në pritje.
Kriza është edhe më e rëndë pasi ky shpërthim lidhet me një specie të rrallë të virusit, Bundibugyo, për të cilën nuk ka vaksinë të miratuar. Po shqyrtohen trajtime eksperimentale, përfshirë një antitrup të zhvilluar në SHBA, por rezultatet mbeten të pasigurta. Ndërkohë, Kanadaja, Bahamas dhe SHBA kanë vendosur kufizime të rrepta udhëtimi për banorët e Kongos, Ugandës dhe Sudanit të Jugut, për të parandaluar përhapjen e virusit.
Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar, duke njoftuar se Task Forca e Shëndetit e BE-së do të rrisë praninë e ekspertëve në terren për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.
/rtsh.al/