E Martë, 3 Nëntor 2026

Edukimi financiar, Muzhaqi: Fëmijët gati për sfidat e së nesërmes

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Mjediset e Piramidës u mbushën dje plot jetë e energji duke u shndërruar në “JAA BizTown”, një qytet funksional, i drejtuar nga qytetarët dhe punonjësit më të vegjël e më të zellshëm.

Ky projekt i Junior Achievement Albania çdo vit shton risi në edukimin financiar të fëmijëve.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, e cila tha se “këtë vit, në 5 shkolla, sollëm një program të ri ku pika kulmore ishte një ditë e jashtëzakonshme në mjediset e Piramidës: Fëmijët e klasave të pesta ndërtuan një qytet të improvizuar – me banka, zyra punësimi, kompani teknologjie e ndërtimi, zyra mediatike dhe madje edhe zgjedhje për të ardhmen e qytetit të tyre”.

“Edukimi financiar mësohet më mirë duke e praktikuar dhe këta fëmijë na treguan se janë më se gati për sfidat e së nesërmes. Nuk duhet të kemi frikë nga risia. Përkundrazi, duhet ta përqafojmë dhe ta kthejmë në një avantazh për fëmijët tanë, për t’i rritur të përgatitur, të pavarur dhe me mendje sipërmarrëse”, theksoi Muzhaqi.

Fëmijët morën role të ndryshme si qytetare apo punonjës dhe drejtuan me pasion:Bankën, Postën,  Zyrën e urbanistikës, Agjencinë e udhëtimit,  Agjencinë e punësimit, Kompaninë e ndërtimit, Kompaninë e sigurimeve, Agjencinë imobiliare, Kompaninë e medias dhe  Kompaninë e telekomunikacionit.

Përveç roleve në qytetin e tyre imagjinar, fëmijët patën mundësinë të vizitojnë edhe dy biznese reale që u bashkuan me eksperiencën: “switch technologies” dhe “pigi app”, duke i afruar edhe më shumë me botën reale të teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Fëmijët mësuan si funksionon një qytet përmes bashkëpunimit, menaxhimit të parave, marrjes së vendimeve dhe komunikimit.

Ky aktivitet ishte një përvojë edukative dhe argëtuese që ngjalli shumë buzëqeshje dhe ndjesi suksesi tek të vegjlit.

1 nga 10

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›