Egjipti akuzon Izraelin për gjenocid dhe i thotë “jo” zhvendosjes së palestinezëve: Nuk do ta lejojmë të ndodhë

Egjipti ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Izraelit, duke deklaruar se nuk do të pranojë shpërnguljen masive të palestinezëve dhe veprimet që i konsideron si gjenocid. Kjo deklaratë vjen pasi mijëra banorë të qytetit të Gazës sfiduan urdhrat izraelite për të lënë qytetin.
“Shpërngulja nuk është një opsion dhe është një vijë e kuqe për Egjiptin, nuk do të lejojmë të ndodhë kjo”, tha ministri i Jashtëm egjiptian, Badr Abdelaty, në një deklaratë për gazetarët.
“Shpërngulja nënkupton pastrim dhe fundin e çështjes palestineze. Nuk ka asnjë bazë ligjore apo morale për të dëbuar njerëzit nga atdheu i tyre,” shtoi ai.
“Po ndodh një gjenocid atje”
Ndërhyrja e ministrit të Jashtëm egjiptian vjen në vazhdën e kritikave të ashpra të Egjiptit ndaj Izraelit, megjithëse vendi ka bashkëpunuar me Katarin dhe SHBA-të për të ndërmjetësuar një armëpushim në luftën që po zgjat pothuajse dy vjet.
Ministri egjiptian theksoi: “Ajo që po ndodh në terren është përtej imagjinatës. Po ndodh një gjenocid atje, vrasje masive të civilëve, uri e qëllimshme, të gjitha të shkaktuara nga izraelitët,” tha ai.
Izraeli mohon akuzat për gjenocid dhe pretendon se veprimet e tij në Gaza janë në kuadër të vetëmbrojtjes. Ofensiva e Izraelit ndaj qytetit të Gazës nisi më 10 gusht. Sipas një zëdhënësi të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Izraeli kontrollon rreth 40% të qytetit./vizionplus.tv