Ekspertë italianë për sistemin e identifikimit të parcelave bujqësore dhe pagesave

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Një grup ekspertësh nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), që po punon për ngritjen e sistemeve LPIS dhe IACS, përkatësisht sistemi për identifikimin e parcelave bujqësore dhe ai për administrimin dhe kontrollin e pagesave për fermerët, ndodhet në një vizitë studimore në Padova të Italisë, pranë Agjencisë së Pagesave të Rajonit të Venetos (AVEPA), për të mësuar nga përvoja e tyre praktike.
Qëllimi i kësaj vizite është njohja nga afër me zbatimin praktik të Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS), si dhe me organizimin dhe funksionimin e një agjencie pagese sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Vizita synon gjithashtu forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy agjencive dhe krijimin e mundësive për shkëmbim të mëtejshëm të eksperiencës dhe ekspertizës në këtë fushë.
Kjo veprimtari realizohet në kuadër të projektit EUGoAL, i financuar nga Ministria Italiane për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar përmes Agjencisë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) dhe i menaxhuar nga CIHEAM Bari.
Përvetësimi i praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Europian konsiderohet një hap i rëndësishëm për Shqipërinë në ndërtimin e një sistemi funksional IACS, si dhe në avancimin e procesit të integrimit europian.
1 nga 3/a.f/