Ekspozita me artefakte mesjetare në Ditën e Gjuhës Greke

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Në kuadër të Ditës Kombëtare të Gjuhës Greke, Konsullata Greke në Korçë, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, organizuan ekspozitën “Gjuha Greke përmes artefakteve të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar”.
Ekspozita paraqet një përzgjedhje të veçantë artefaktesh nga fondi i MKAM, në të cilat gjuha greke shfaqet si mjet shprehjeje, komunikimi dhe shpirtëror në trashëgiminë ballkanike.
E pranishme në aktivitet ishte dhe prefektja e Korçës, Florinda Zegullaj, e cila u shpreh se, gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por mbartëse kujtese, identiteti dhe qytetërimi.
“Aktivitete të tilla dëshmojnë se kultura ndërton ura mirëkuptimi dhe dialogu që i rezistojnë kohës. Ato na ftojnë të shohim historinë jo si ndarje, por si hapësirë takimi”, tha prefektja Zegullaj.
Artefaktet e përzgjedhura nga fondi i MKAM, janë dëshmi për ndikimin e gjuhës greke në trashëgiminë artistike dhe kulturore ballkanike, si një urë komunikimi dhe bashkëjetese ndërmjet popujve.
1 nga 7/j.p/r.e/