Ekstradohet në Shqipëri Durim Bami-Forcat Operacionale të Burgjeve e shoqërojnë drejt IEVP-së

Durim Bami ka mbërritur në Shqipëri pas ekstradimit të tij nga Dubai. Durim Bami është shoqëruar nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nga Rinasi drejt IEVP-së.
Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
“Si rezultat i bashkëpunimit dhe besimit mes Policisë së Shtetit dhe homologëve në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretizuar me shkëmbim intensiv informacioni dhe bashkërendim të veprimeve operacionale, mbrëmjen e sotme, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasit të shumëkërkuar D. B., 47 vjeç, banues në Krujë“, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në Aeroportin e Rinasit, i shumëkërkuari u shoqërua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe nga Policia e Burgjeve.
Sipas Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Durim Bami drejtonte e financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë viteve 2019-2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin.
Po sipas dosjes së SPAK, Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin fizik të ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Nga ana tjetër, Ndoka dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale synonin po ashtu të eliminonin vetë Durim Bamin, për kokën e të cilit vetë Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro.
/rtsh.al/