Elbasan, qarkullimi në zonat malore vetëm me zinxhirë

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Bashkia e Elbasanit njoftoi sot se gjatë natës kanë vijuar reshjet e dëborës në zonat malore dhe në disa akse kalueshmëria e automjeteve realizohet vetëm me zinxhirë.
Duke pasqyruar situatën e krijuar nga reshjet e dëborës dhe shiut, Bashkia apelon për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor dhe evitimin e lëvizjeve të panevojshme në zonat malore.
Strukturat përkatëse kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë të mundur që aktualisht të mos ketë zona të bllokuara nga dëbora, pavarësisht se në disa prej tyre trashësia e saj kalon 30 cm.
Autoriteti Rrugor dhe strukturat e Agjencia e Shërbimeve Publike vijojnë punën në terren me kriposjen e akseve rrugore në të gjitha zonat problematike, me qëllim garantimin e qarkullimit dhe sigurisë së qytetarëve.
Zonat ku vijon të ketë prani dëbore janë, Gjinar, Gracen, Labinot Mal, Zavalinë dhe Funar.
Sa i përket qarkullimit rrugor, aksi Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Gracen janë të kalueshme normalisht, pa nevojën e zinxhirëve.
Aksi Elbasan–Funar është i kalueshëm pa zinxhirë, por kërkohet kujdes i shtuar.
Në akset lidhëse Korrë, Cërrunjë dhe Mollagjesh, zinxhirët janë të detyrueshëm.
Akset Elbasan–Labinot Mal dhe Elbasan–Zavalinë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe prezencës së akullit.
Në njësitë administrative të sipërpërmendura, procesi mësimor është pezulluar dhe do të zëvendësohet ditën e shtunë, më 17 janar.
Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse, duke garantuar sigurinë e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Bashkia Elbasan mbetet në gatishmëri dhe në shërbim të komunitetit për çdo nevojë të krijuar nga kushtet e motit.
1 nga 4/k.s/