Elbasani, Gvozdenoviç: Nuk i druhemi Partizanit

Faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë sjell një tjetër përballje të fortë, atë midis Partizanit e Elbasanit. Të dyja skuadrat e kanë pjesë të objektivave edhe këtë trofe ndaj do të kërkojnë të sigurojnë kualifikimin për më tej. Të kuqtë e kryeqytetit vijnë në këtë përballje me avantazhin e fitores 0-1 në transfertën në ndeshjen e parë. Por miqtë nga Elbasani do të kërkojnë përmbysjen e këtij rezultati. Ndaj sfida është e hapur.
Elbasani luan të mërkurën një pjesë të rëndësishme të sezonit, ku do të sfidojë Partizanin për një biletë në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Humbja minimale 0-1 në ndeshjen e parë në Elbasan, duket sikur i zbeh disi shanset e verdhebluve për të kaluar më tej. Por në daljen e tij para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç, thekson se gjithçka është e hapur, pavarësisht avantazhit të të kuqve.
“Në këtë ndeshje të kthimit Partizani ka një avantazh, sepse rezultati është 1-0 për ata, por ndeshja është e hapur. Me qetësi, me përqëndrim maksimal ne jemi gati për nesër”.
“Ne do luftojmë, si në çdo ndeshje. Siç e thashë, ata kanë një avantazh. Mundësitë janë 60-40 për Partizanin, por ne kemi besim, sepse një gol nuk është shumë. Do provojmë, do luftojmë deri në fund. Kemi besim se mund të kapim gjysmëfinalet e Kupës së Shqipëisë”.
Gvozdenoviç nuk i druhet aspak formës së mirë po kalon kundërshtari. Gjithsesi ai nuk i kursen komplimentat për të kuqtë.
“Jo, nuk jemi të trembur. Partizani është ekipi i momentit, po kalon një moment të mirë. Por edhe ne jemi në formë dhe nesër, si gjithmonë, të bëjmë një ndeshje të bukur për tifozët, në fund do fitojë kush paraqitet më mirë në fushë”.
Trajneri i Elbasanit e ka të qartë se si mund të fitojë ndaj Partizanit në Tiranë, ku shpreson të ketë edhe fatin me vete.
“Nesër na duhet pak fat, na mungoi në ndeshjen e parë, pastaj të tjerat stafi i di, lojtarët i dinë, do i prezantojmë nesër”.
Një ditë më parë, ekipin e Elbasanit e vizitoi në stërvitje edhe presidenti Kujtim Llupa, i cili kërkoi nga skuadra të japë maksimumin për të kaluar në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.