E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, me synime të qarta drejt Vlorës, Gvozdenovic: Do jetë një ndeshje e fortë, jemi gati

Ivan Gvozdenovic foli në prag të takimit që Elbasani do të zhvillojë ndaj Flamurtarit në transfertë. Trajneri i ekipit verdheblu shprehu gjithë respektin për kundërshtarin, ndërsa theksoi se pret një ekip konstant me fillimin e fazës së katërt.

Faza e kartërt e Abissnet Superiores premton sfida emocionuese, por takimi që spikat më tepër është ajo mes Elbasanit dhe Flamurtarit.Transfertë delikate për verdheblutë, që pas fitores ndaj Tiranës duan një tjetër sukses për të blinduar pozitat në klasifikim.  Situata në kampin verdheblu është pozitive, ndaj synimi janë vetëm tri pikët. Në daljen e tij para mediave, tekniku Ivan Gvozdenoviç, respektoi kundërshtarin pasi një javë më parë fitoi ndaj Vllaznisë.

“Do të jetë një ndeshje e fortë, Flamurtari bën lojë të fortë në shtëpi. Besoj do jetë një atmosferë e bukur dhe një ndeshje e fortë, ne jemi gati, të fitojë kush është më i miri”.

Ai vlerëson faktin që elbasanasit kanë qenë një skuadër konstante përgjatë tri fazave të para, gjë që shpreson të ndodhë edhe në të fundit.

“Do provojmë të bëjmë gjithçka dhe në fazën e katërt, sepse në fazën një, dy dhe tre ishim shumë mirë me pikët. Do provojmë në fushë të marrim maksimumin”.

Në fund, Gvozdenoviç nuk preferon të japë nota për kampionatin që kanë bërë, duke theksuar se kjo do të ndodhë në përfundim të kampionatit.

“Një notë për ecurinë? Tani nuk dua të flas, sepse kur të mbarojë kampionati dhe Kupa, ndoshta mund të them një notë. Tani më mirë të rrijmë të përqëndruar, të qetë, me këmbë në tokë. Pastaj në fund mund të flasim të gjithë bashkë nëse jemi mirë apo jo”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›