E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani vesh dekorin festiv në pritje të Ditës së Verës

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Elbasani është veshur me dekorin pranveror në pritje të Ditës së Verës, festa më përfaqësuese e qytetit që e kthen atë në një skenë të hapur festive.

Me një agjendë të pasur, plot ngjyra, traditë dhe argëtim, qyteti i Elbasanit edhe këtë vit pritet të mirëpresë mijëra qytetarë dhe vizitorë për të festuar Ditën e Verës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Elbasani ku festimet për Ditën e Verës këtë vit kanë nisur zyrtarisht më 9 mars.

Bashkia ka organizuar një seri aktivitetesh që synojnë ta kthejnë qytetin në epiqendrën e festës më të dashur pranverore, duke bashkuar kulturën, traditën dhe muzikën në një atmosferë unike festive.

Për disa ditë me radhë qyteti do të shndërrohet në një skenë të madhe feste me koncerte, ekspozita, panaire, aktivitete për fëmijë dhe evente sportive.

Artizanët vendas do të kenë mundësinë të prezantojnë mjeshtërinë e tyre, duke sjellë për qytetarët dhe vizitorët një atmosferë autentike panairi. Ndërkohë nuk do të mungojë as promovimi i kulinarisë vendase me ballakumen, simbolin e kësaj feste pagane.


/m.m/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›