Elsa Lila sjell “Na ishte një herë”! Koncert në TKOB me perlat e muzikës shqiptare

Ka kënge dhe krijime që koha nuk i zbeh, ato mbeten pjesë e kujtimeve, historive dhe emocioneve që përcillen nga një brez te tjetri.
Pikërisht këto tinguj do të marrin jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, përmes zërit të Elsa Lilës.
“Na ishte një herë” është koncertit që artistja do të përcjellë, në një mbrëmje muzikore që kthen vëmendjen te pasuria e këngës shqiptare.
Nga meloditë e kinematografisë shqiptare, te këngët qytetare, tradicionale, apo edhe arbëreshe, Elsa Lila ka zgjedhur të ndërtojë një repertor që bashkon periudha dhe ngjyra të ndryshme muzikore.
Reklamë
“Do të jetë një koncert nostalgjie. Do të përjetojmë këngë që këndoheshin dikur dhe që ndoshta disa janë harruar, e të tjera vazhdojnë të këndohen. Janë këngë që të gjithë i dini. Ndaj ju presim me padurim më datë 7 nëntor, ditën e shtunë, në TKOB, që t’i përjetojmë këto emocione të gjithë së bashku”, u shpreh Elsa Lila.
Kjo mbrëmje shënon edhe një takim të veçantë të këngëtares me një skenë që lidhet ngushtë me fëmijërinë e saj. Pas suksesit të recitalit “Finalmente Elsa”, artistja rikthehet përpara publikut shqiptar me një tjetër rrëfim artistik, ku në qendër nuk është vetëm interpretimi, por edhe kujtesa muzikore e rrënjët e një vendi.
“Kisha dëshirë që t’i bëja një homazh tokës sime dhe të bëja një rrugëtim midis zhanreve të ndryshme muzikore që këndoheshin dhe luheshin dikur në Shqipëri”, u shpreh Elsa Lila.
Më 7 nëntor, skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të bëhet vendtakimi i melodive të dikurshme me emocionet e së tashmes. Një mbrëmje ku Elsa Lila do t’i japë zë kujtesës muzikore shqiptare, në një koncert që vjen me mbështetjen mediatike të Vizion Plus, duke sjellë në vëmendje vlerat e artit dhe trashëgimisë sonë muzikore.
/vizionplus.tv