E Diel, 1 Nëntor 2026

Emergjencat civile në sezonin e verës, institucionet në Kukës gatishmëri dhe masa për parandalimin e zjarreve

Temperaturat e larta këto ditë qershori janë sinjal i një vere të nxehtë e të thatë, një premisë kjo për të favorizuar zjarret në pyje e kullota. Bashkitë e qarkut të Kukësit me një plan konkret masash kanë rritur shkallën e gatishmërisë për periudhën e verës për parandalimin e zjarreve por edhe ndërhyrjen në kohë në raste të tilla.

Prefekti i qarkut, Dritan Baji, tha se në të tilla raste është shumë rëndësishme koordinimi i institucioneve dhe bashkëpunimi për të pasur një efikasitet të lartë.

“Komisioni i emergjencave civile pranë prefektit të qarkut ka bërë të gjithë organizimet e nevojshme në bashkëpunim me bashkitë. Shtabet e emergjencave janë ngritur e funksionojnë në të tre bashkitë. Secili prej tyre ka përcaktuar planin e masave në kuadër të emergjencave civile”, u shpreh Prefekti i qarkut.

Këtë vit, bashkitë e qarkut kanë rritur kapacitete në shërbimet zjarrfikëse me automjete të reja e të përshtatshme për terrene të vështira.

“Bashkitë gjithashtu kanë përcaktuar dhe stafet mbështetëse që do jenë në mbështetje të forcave zjarrfikëse në rast se do paraqiten situata të nevojshme. Të tre bashkitë janë pajisur dhe me ato mjete shtesë, ato mjete që janë dhe më të përshtatshme për ndërhyrjen në terrene që nuk janë të paaksesueshme për zjarrfikëset”, tha Baji.

Prefekti i qarkut theksoi domosdoshmërinë e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit qytetar për të treguar më tepër kujdes në zonat me risk të lartë duke shmangur përdorimin e lëndëve djegëse të cilat në një mënyrë ose në një tjetër nxisin vatra zjarri.

Qarku i Kukësit është ndër qarqet me sipërfaqen më të madhe të pyjeve e kullotave por një pjesë e mirë e kësaj sipërfaqe pas viti 2000 e në vijim është dëmtuar nga zjarret masive.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›