Emigrantët mendojnë për pensionin, specialistët e sigurimeve vlerësojnë marrëveshjen me Italinë

Periudha e verës është koha kur emigrantët kthehen nga jashtë, moment i përshtatshëm për plotësimin e kushteve për përfitimin e pensioneve.
Drejtorja e Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, Violeta Staka thekson se ka një interesim të lartë nga emigrantët që janë të interesuar për blerjen e viteve të punës.
“Patjetër që ka të interesuar. Ka edhe nga ata që vijnë të kapin niveloin e viteve të cilat ja kërkon ligji për lidhjen e një përfitimi pa penalizuar formulën e llogaritjes së pensionit. Janë të interesuar edhe të blejnë vitet me qëllim rritjen e viteve kontributive”, tha Staka.
Ndërkohë drejtorja Staka thekson se marrëveshja me Italinë, zgjidh një padrejtësi të qytetarëve që nuk përfitonin pension për shkak se i mungonin vitet minimale të kontributit në të dyja shtetet, Shqipëria e ka limitin 15 vite, ndërsa Italia 20 vite.
“Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet dy palëve janë një mjet që i ndihmon njerëzit që kanë periudhë kontributive në vendit e tyre, por edhe në shtetin ku janë. Nëse plotësojnë kushtin minimal prej 15 vitesh kontribut, atyre mund t’ju lidhet përfitimi këtu, por nëse e plotësojnë edhe në shtetin ku janë, u lidhet përfitimi edhe atje.
Vonesat e pagesave të kontributeve shoqërore në shumë raste vijnë edhe si pasojë e pamundësisë së qytetarëve për t’i paguar. Megjithatë, kjo është mënyra e vetme për të përfituar një pension të rregullt.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/