Emigranti kthehet në vendlindje, investim në agroturizëm pranë burimit të Gurrës së Zezë

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Olsi Blloku, vendosi që pas shumë vitesh punë në emigrim të rikthehet në vendlindjen e tij në Dardhë të Librazhdit, aty ku vendosi të investojë në ndërtimin e një agroturizmi.
Olsi, së bashku me dy prindërit e tij kanë ndërtuar një oaz të vërtetë mikpritjeje dhe shijeje me gatime tradicionale dhe produkte të freskëta të zonës, duke u kthyer në një atraksion për turistët e huaj dhe vendasit.
Taulant Balla, ministër i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin ndau këtë histori suksesi në rrjetet sociale, duke u shprehur se ky agroturizëm pret çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët janë të apasionuar pas natyrës dhe ecjeve nëpër shtigjet e shumta që ofron kjo zonë piktoreske.
Në mjediset e “House Grill Mattia”, do të gjeni ushqim të shijshëm bio dhe një mikpritje të ngrohtë. Gjithashtu turistët që frekuentojnë bujtinën kanë mundësi të vizitojnë dhe mullirin 100-vjeçar dhe gjurmët e rrugës “Egnatia”. Mulliri është një dëshmi e rrallë e jetës bujqësore të shumë viteve të shkuara. Vizitorët ndalojnë shpesh për të parë nga afër mekanizmin e vjetër prej druri dhe për të kuptuar si dikur bluhej gruri në këtë zonë.
Në këtë perlë të vogël pranë burimit të quajtur Gurra e Zezë ka lindur një histori e bukur rikthimi, përkushtimi dhe dashurie për vendin.
Zona frekuentohet edhe më shumë nga turistë të huaj dhe vendas, veçanërisht ata që ndjekin gjurmët e rrugës antike pranë këtyre anëve. Sot, Egnatia po rilind si një itinerar i rëndësishëm për turizmin historik dhe kulturor.
/e.i//a.f/