Eneo Bitri me skuadër të re: Doja një sfidë të re, jam i lumtur

Eneo Bitri është lojtar i Nyíregyháza Spartacus në Hungari! Mbrojtësi shqiptar e njeh mirë ligën e parë hungareze, ai ishte pjesë e ETO-s sezonin e kaluar, luajti 22 ndeshje dhe, pavarësisht se ishte mbrojtës, ishte shumë efektiv në sulm: shënoi 5 gola dhe dha një asist.
“E njoh ekipin, vitin e kaluar munda ta përjetoja nga afër se si tifozët krijojnë një atmosferë fantastike në stadium. Doja një sfidë të re dhe jam i lumtur që Nyíregyháza më kontaktoi. Jemi ende në fillim të sezonit, e di që kanë ardhur shumë lojtarë të rinj, skuadra përbëhet nga futbollistë të mirë dhe duhet të përparojmë hap pas hapi, por jam i sigurt se do të kemi sukses. Tashmë kam takuar disa nga lojtarët, përshtypjet e para janë pozitive dhe do të doja që ta arrinim qëllimin e vendosur së bashku” – tha Eneo Bitri.
Ndërkohë, drejtori sportiv i Nyíregyháza Spartacus, Tivadar Fekete dha vlerësimin e tij për mbrojtësin shqiptar: “Me Eneo Bitrin, jo vetëm që kemi nënshkruar me një lojtar të mirë, por karakteri i tij e bën atë gjithashtu të përshtatshëm për të qenë një lider”.