E Diel, 1 Nëntor 2026

Epifania, besimtarët e krishterë kremtojnë Ditën e Ujit të Bekuar

TIRANË, 6 janar/ATSH/ 6 Janari është festa e Ujit të Bekuar, e njohur ndryshe si Epifania.

Festa quhet shpesh, ashtu si në librat e shërbesave ortodokse, Theofani, që do të thotë shfaqje e Perëndisë. Theksi në këtë festë është në shfaqjen e Jezusit, si Mesia njerëzor i Izraelit dhe Bir hyjnor i Perëndisë, Njëri nga Trinia e Shenjtë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë.

Tipari kryesor i festës së Epifanisë është Bekimi i Madh i Ujit. Ai kryhet dy herë, në vigjiljen e Epifanisë, mbas meshës së Shën Vasilit dhe mbas meshës së vetë ditës. Shërbesa fillon me këndimin e himneve të veçanta dhe me temjanisjen e ujit, që është vendosur në mes të kishës.

Dita e Ujit të Bekuar kremton pagëzimin e Krishtit dhe kjo festohet nga besimtarët ortodoksë përmes ritualit të hedhjes së kryqit në ujë. Kryqi duhet të kapet nga besimtarët i cili simbolizon pastrimin dhe ndriçimin e tyre.

Në shumë vende është zakon që Bekimi i Ujit të bëhet në det, lumë, liqen apo në ndonjë pellg uji. Kur nuk është mundësia, bekimi bëhet në kishë.

Të krishterët e botës perëndimore e festojnë Epifaninë me ëmbëlsira të veçanta. Shpesh fëmijët marrin dhurata të vogla në çorapet e tyre në nder të dhuratave që mbretërit dhuruan për foshnjën Jezus. Festa ka gjithashtu një numër traditash që përfshijnë ujin, në përkujtim të pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan, ritual i cili përfshin edhe bekimin e shtëpive me ujë të bekuar.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›