“Erion Veliaj u burgos pa gjyq”, Rama: Tirana mbeti pa kryetar për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë

Beteja ligjore e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese nuk mund ta lërë Tiranën pa një kryetar bashkie. Sezonin e tretë të podcastit “Flasim” Kryeministri Edi Rama e riktheu me të ftuarën e parë, kandidaten për kryeqytetin Ogerta Manastirliun ku shpjegoi dhe arsyet për vendimin e shkarkimit te Erion Veliajt.
“Të tjerat janë zgjedhje krejt normale ndërsa në Tiranë janë të jashtëzakonshme dhe jo sepse Tirana është kryeqyteti, Tirana mbeti pa kryebashkiak për shkak të një zhvillimi brutal të drejtësisë. Veliaj u mor nga zyra pa gjyq dhe u çua në paraburgim ku po mbahet ende prej muajsh mes një procesi me standarde që janë të dyshimta”, tha Rama.
Rama komentoi gjithashtu edhe kritikat për dekretimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti Begaj, e quajtur antikushtetuese nga opozita.
“Ata që diskutojmë legjitimitetin e dekretit nuk kanë faj, sepse nuk kanë as shkollën, as pavarësinë intelektuale të Ilir Rusmalit, këshilltarit juridik të Presidentit dhe ministër të Drejtësisë të PD që vetëm për integritetin e tij dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të bëhej palë me korrupsionin që degradoi në një tragjedi makabre që tmerroi Shqipërinë dhe pataksi botën, jo larg nga ku unë po ju flas diku në vend të quajtur Gërdec”, tha kryeministri.
Gjatë podcastit teksa Manastirliu rrëfeu reagimin kur mësoi se do të garonte për Tiranën, kreu i qeverisë shpjegoi dhe arsyen përse ishte pikërisht ajo zgjedhja e tij.
“Dakord, në rregull, pse s’të tha? Përgjigjja pse s’të tha: nuk ka njeri perfekt dhe ai ka defektet e veta. Por, përtej kësaj dhe përtej momentit të parë, ti vetë si e ndjen këtë barrë mbi supe?”, tha Rama.
Në datën 9 nëntor, Tirana dhe 5 bashki të tjera do të futen në garën vendore ndërsa partitë politike kanë nisur përgatitjet për fushatën elektorale.