Erisa Xhixho: Çmimet e ushqimeve u rritën deri në 50%, qeveria po mbron interesat e pakicës
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër për rritjen e menjëhershme të çmimeve të ushqimeve, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte të një politike të dështuar ekonomike.
Sipas saj, brenda pak ditësh disa produkte bazë kanë pësuar rritje të forta, duke goditur drejtpërdrejt buxhetin e familjeve shqiptare. Xhixho rendit disa prej tyre: domatet nga 200 në 320 lekë/kg, specat nga 280 në 320 lekë, ndërsa barbunjat nga 250 në 500 lekë/kg. Ajo thekson gjithashtu se ka pasur rritje të ndjeshme edhe për produkte si mielli, vaji dhe sheqeri.
Deputetja e PL-së argumenton se kjo nuk është thjesht një valë inflacioni, por efekt zinxhir i rritjes së çmimit të naftës, që sipas saj ka sjellë menjëherë shtrenjtim të çdo produkti në treg.
“Ndërkohë që qytetarët përballen çdo ditë me këtë krizë, Ministrja e Ekonomisë deklaron se shteti nuk mund të ndërhyjë në çmime, duke u fshehur pas justifikimit të ‘ekonomisë së tregut’. Por kjo nuk është më ekonomi tregu, është një ekonomi që funksionon për interesat e një pakice”, shprehet Xhixho.
Ajo shton se mungesa e konkurrencës është zëvendësuar me klientelizëm dhe oligarki, ndërsa sektorë si prodhimi dhe bujqësia po vuajnë pasojat e rritjes së çmimit të karburanteve.
Në reagimin e saj, Xhixho ndalet edhe te çmimi i naftës, i cili sipas saj ka arritur në 218 lekë për litër, më i larti në rajon, duke theksuar se rreth 60% e këtij çmimi përbëhet nga taksat.
Deputetja bën thirrje për uljen e taksave mbi karburantet, si një masë për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të lehtësuar barrën mbi qytetarët.
“Në këtë situatë, për këtë qeveri qytetarët nuk janë kurrë prioritet”, përfundon reagimin e saj.