E Diel, 1 Nëntor 2026

Erisa Xhixho ngre shqetësimin për mësimin me dy turne në shkollat e Tiranës

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin për kushtet në disa shkolla të Tiranë, duke deklaruar se nxënësit vazhdojnë të zhvillojnë mësimin me dy turne, pavarësisht taksës së arsimit të paguar prej qytetarëve ndër vite.

Në një reagim publik, ajo u ndal te shkolla Shkolla “Emin Duraku”, ku sipas saj nxënësit vijojnë të bëjnë mësim me turne edhe pse prej 10 vitesh është mbledhur taksa e arsimit, nga e cila pretendohet se janë siguruar të paktën 70 milionë euro.

“Kjo është shkolla “Emin Duraku”, ku nxënësit vazhdojnë të bëjnë mësim me dy turne, edhe pse qytetarët e Tiranës kanë paguar për 10 vite taksën e arsimit, nga e cila janë mbledhur të paktën 70 milionë euro, por ende vazhdohet me 2 turne”, shprehet Xhixho.

Ajo ka komentuar edhe investimet te shkolla “Edit Durham”, duke pretenduar se janë shpenzuar rreth 50 milionë euro, por pa shtim të kapaciteteve për nxënësit.

“Tek “Edit Durham” janë shpenzuar rreth 50 milionë euro dhe jo vetëm që nuk janë shtuar klasat, por janë ulur edhe ato ekzistuese. Miliarda lekë të paguara nga qytetarët, ndërsa fëmijët vazhdojnë mësimin me turne”, deklaron deputetja.

Sipas saj, modeli i “arsimit europian” që promovohet po shoqërohet me rënie të cilësisë në arsim dhe kosto më të larta për familjet shqiptare.

“Arsimi europian që propagandohet ka rënie drastike në cilësi, është sfilitës për fëmijët dhe prindërit dhe me më shumë kosto për ta”, përfundon reagimi i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›