E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ermonela Jaho rikthehet në TKOB, soprano e madhe ngjitet në skenë me koncertin “Kur ndjenjat marin zë”

“Kur ndjenjat marrin zë” është koncerti që rikthen të mërkurën në mbrëmje sopranon Ermonela Jaho në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Publiku do të përjetojë një udhëtim muzikor mes arieve dhe kryeveprave botërore, përmes një repertori që përmbledh dashuri, dramë, mall dhe triumf, të gjitha të shkrira në një zë të vetëm.

“Nga bel canto deri në verismo, unë them se është një program më tepër sfidues, për mua sidomos që do e mbaj vetëm për dy orë. Një program që ka pjesë që nuk janë luajtur asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe e ndjej si detyrim që t’i shkrij të gjitha këto arte në një të vetme, që publiku të marrë historinë për të cilën ti po flet”, ha Ermonela Jaho, soprano.

Nën dirigjimin e maestro Fabrizio Carminati, orkestrës dhe korit, muzika do të marrë ngjyra të reja, duke rikthyer atmosferën e sallave të mëdha operistike në këtë skenë që ka qenë pikënisje e rrugëtimit artistik të sopranos. Ndaj interpretimi përpara publikut të saj për të është jo vetëm kënaqësi, por një formë detyrimi dhe mirënjohjeje.

“Kthimi në Shqipëri është gëzim, edhe sfidë, mund të them. Çfarë mund të jap ndryshe? Çdo ditë ne ndryshojmë, ashtu si çdo ditë e jona është ndryshe. Jemi një ditë më të rritur dhe kemi diçka për të sfiduar dhe zbuluar në veten tonë. Ashtu është edhe në muzikë. Është një detyrim për publikun shqiptar, është një detyrim për brezat e rinj, për t’ju dhënë një shpresë se sot çdo gjë që shihet si e paarritshme, është e arritshme.”

Të mërkurën, në orën 20:00, TKOB-i do të jetë skena ku muzika do të kthehet në një homazh për artin lirik dhe në një dëshmi se muzika mbetet ura më e fuqishme që lidh artistin me publikun.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›