E Diel, 1 Nëntor 2026

Ervin Salianji paraqitet në Shërbimin e Provës tre ditë pas lirimit me kusht

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është paraqitur mëngjesin e sotëm pranë Shërbimit të Provës, si pjesë e zbatimit të vendimit për lirimin e tij me kusht. Ai ishte i shoqëruar nga avokati i tij, Ledio Braho.

Vendimi për lirimin me kusht u mor më 8 korrik nga Gjykata e Fierit, pasi Salianji kishte përfunduar 9 muaj e gjysmë të dënimit prej një viti burg, të dhënë në shtator të vitit 2024. Si Burgu i Fierit, ashtu edhe Shërbimi i Provës kishin dorëzuar raporte pozitive për sjelljen e tij gjatë vuajtjes së dënimit.

Salianji ishte dënuar nga Gjykata e Apelit më 26 shtator 2024 me një vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Si pasojë e këtij vendimi penal, ai humbi edhe mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›