E Diel, 1 Nëntor 2026

“Është fakt se drejtësia përballet me presione”, Sadushi: Rreziku më i madh, drejtësia që nuk vepron në kohë

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mbajti sot një fjalim në konferencën kombëtare “Integriteti gjyqësor përballë tundimit të konformizmit: Reflektime mbi guximin moral të magjistratit”, ku foli për problematikat në sistemin e drejtësisë.

Sadushi tha se sistemi ynë i drejtësisë po kalon prej vitesh një transformim të thellë dhe Shqipëria po hyn në vitin e dhjetë të përpjekjes për të ndërtuar besimin tek drejtësia.

Por, pavarësisht arritjeve të shumta dhe të prekshme, sistemi i drejtësisë po ndeshet me problematika serioze, sipas tij.

Sadushi: Ai po përjeton krizën e efiçencës dhe të efektivitetit në gjykim, të shkaktuar nga mbingarkesa dhe vonesat në dhënien e drejtësisë. E shohim çdo ditë se si çështje jetike për individë, shtresa vulnerabël, biznese apo komunitete të ndryshme zvarriten për vite me radhë. Pafuqia për të vendosur shpejt dhe me profesionalizëm po i shndërron organet brenda sistemit në struktura me ndikim të kufizuar. Dhe këtë nuk na e thonë vetëm raportet ndërkombëtare. Madje më qartë na e thotë qytetari, qoftë edhe me heshtjen e tij. Nga pozicioni i Kryetarit të Gjykatës së Lartë, vërej një rrezik të heshtur që po shfaqet në organet e sistemit të drejtësisë: rënia në rehati konformiste. Ndoshta nuk konstatohen shkelje flagrante të ligjit, por ka më shumë heshtje, mosveprim në kohë dhe pasivitet. Nuk shfaqen haptazi ndikime të drejtpërdrejta në sistem, por duket se ato janë zëvendësuar me presione të heshtura, të rafinuara, por njëlloj të dëmshme. Nuk është fjala për vendime të padrejta, por për vendime që nuk merren në kohën e duhur. Dhe ky është, ndoshta, rreziku më i madh i kohëve tona: një drejtësia që nuk vepron në kohë; një drejtësi që pret.

Kreu i Gjykatës së Lartë tha se Reforma në Drejtësi ka sjellë transformimin pozitiv të sistemit duke prodhuar edhe një shtysë të domosdoshme për ndryshim dhe për edukim. Sadushi theksoi se ka nevojë të reflektohet mbi integritetin gjyqësor përballë tundimit të konformizmit dhe për guximin moral për të qëndruar në anën e drejtë, atëherë kur kjo është më e vështirë.

Sadushi: Megjithatë, sot jemi në një realitet ku ndershmëria shpesh shoqërohet me frikë, ku integriteti ndonjëherë mbetet i izoluar, ndërsa konformizmi gjen terren më të lehtë se guximi për të vepruar ndryshe. Prandaj, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një vetëdije kolektive për drejtësinë, si themel i shtetit dhe i shoqërisë.

Është folur gjatë për ndërtimin e institucioneve të reja, për vetingun, për pavarësinë nga politika, por më pak flitet për sprovën më të vështirë me të cilën përballet çdo magjistrat: sprovën e ndërgjegjes. Pikërisht këtu lind nevoja për të reflektuar mbi integritetin gjyqësor përballë tundimit të konformizmit dhe për guximin moral për të qëndruar në anën e drejtë, atëherë kur kjo është më e vështirë. Korniza ligjore parashikon mekanizma për të luftuar korrupsionin, për të shmangur mungesën e përgjegjshmërisë apo mangësitë profesionale, por nuk parashikon mekanizëm për ta mbrojtur magjistratin nga tundimi i konformizmit.

Për gjyqësorin modern konformizmi përfaqëson një prej sfidave më delikate. Ai paraqet një tension të përhershëm midis përmbushjes së rolit formalist të gjyqtarit dhe nevojës për kurajo morale e pavarësi profesionale.  Rreziku që iu kanoset sot magjistratëve nuk vjen doemos nga pushtetet e tjera, por nga faktorë të tjerë të rrezikshëm, ndoshta edhe për shkak të faktit se janë të padukshëm, të heshtur, por të vendosur për të arritur synimet e tyre. Në këtë realitet, konformizmi përpiqet të fitojë terren. Ai është më pak i zhurmshëm se korrupsioni, por po aq i rrezikshëm sa ai.

Është e lehtë të themi se duam drejtësi të pavarur. Por si përkthehet kjo në praktikë? A kemi magjistratë që guxojnë të mbrojnë të drejtën, edhe kur ajo sfidon interesat politike, ekonomike apo rrjedhën e zakonshme të rasteve? A kemi magjistratë që veprojnë pa frikë, pa u tunduar nga opinioni publik, nga titujt e portaleve apo nga mënyra e reagimit të strukturave më të larta shtetërore? Sigurisht që kemi, por a mund të themi se ata dominojnë? Këto janë pyetje që duhet t’i bëjmë vetes.

Kreu i GJL tha se “është fakt se drejtësia përballet me presione konstante, politike, ekonomike dhe në raste jo të pakta, edhe kriminale”, por bëri thirrje për mosdorëzim.

Sadushi: Ndoshta përgjithësimet nuk vlejnë, por është fakt se drejtësia përballet me presione konstante, politike, ekonomike dhe në raste jo të pakta, edhe kriminale. Presioni nuk vjen domosdoshmërisht me kërcënim. Ai shfaqet me oferta, me afrimitet, me rehati institucionale, ose, më rrezikshëm, përmes ndjesisë së dorëzimit, me shprehje të tilla se “kjo nuk është puna ime”, “nuk ia vlen”, “kjo punë nuk bëhet”, etj, etj.

Ne nuk mund ta mohojmë se presioni është real, por kjo nuk duhet të na paralizojë. Nëse dorëzohemi, kemi humbur jo vetëm funksionin, por edhe legjitimitetin për ta ushtruar atë. Dhe pikërisht këtu lind nevoja për integritetin jo si virtyt abstrakt, por si akt rebelimi ndaj indiferencës dhe konformizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›