Euroliga në RTSH: Parisi, fitore surprizë në Barcelonë

Java e 28-të në Euroligë ka nisur me një mbrëmje surprizë në “Palau Blaugrana” teksa Parisi ka fituar ndaj Barcelonës me rezultatin 74-85.
Katalanasit kishin dy mungesa të rëndësishme në formacionin e parë, Satoranskin dhe Punter dhe kjo u ndje që në fillim në një organizim të dobët nga Marcos dhe nga veterani Laprovitola që nuk e përballonte dot ritmin e shpejtë të francezëve.
Që në fillim Parisi mori avantazhin por me pak pikë, ndërsa Barcelona reagonte herë pas here duke kujtuar që përballej vendi i katërt me atë të parafundit. Barcelona del për herë të parë në avantazh në periodën e dytë dhe vijon për disa minuta pikë më pikë.
Por në fundin e periodës së dytë, Parisi nisi të shënojë aty ku kishte vështirësi, jashtë zone në vlerën e tri pikëve. Perioda e tretë nisi me një vrull të madh si të Parisit ashtu edhe të Nadir Hifi dhe diferenca shumë shpejt do të kalonte në 2 shifra.
Në periodën e katërt Parisi arrin deri në 17 pikë diferencë dhe dukej se nuk kishte më kthim pas. Por me një parcial 9-0 ulet deri në 8 pikë 3 minuta nga fundi. Edhe njëherë Hifi do shënonte për ta mbyllur personalisht me 21 pikë dhe Parisi krijoi sërish siguri.
Barcelona në fund e pranoi këtë rezultat dhe prej 3 mungesave bashkë me Nunez në këtë takim, madje kishte një 16 vjeçar në stol. Me këtë fitore Parisi ngjitet në vend të 16-të, ndërsa Barcelona zbret në vend të 5-të.