E Diel, 1 Nëntor 2026

Europa League në RTSH: Celta përballë Lionit, hera e parë në arenën evropiane

Të enjten në mbrëmje do të luhen ndeshjet e vajtjes të një të tetave në Europa League dhe përmes ekranit të RTSH do të vijë përballja e Vigos, ku Celta pret Lionin. Dy skuadrat ndeshen për herë të parë midis tyre. Spanjollët janë thuajse perfekt në shtëpi, ndërsa francezët vijnë si dominues të fazës së grupit.

Celta Vigo do të presë Lionin në Estadio de Balaidos të enjten në mbrëmje, në takimin e parë për një të tetat e finaleve të Europa League. Është hera e parë që këto dy skuadra ndeshen në arenën evropiane dhe përballja midis tyre do të vijë ekskluzivisht për publikuan shqiptar përmes ekranit të RTSH.

Spanjollët kanë ardhur në këtë raund falë dy fitoreve kundër PAOK-ut të Selanikut në play-off, ndërsa francezët e mbyllën fazën e grupit në krye të renditjes, duke siguruar direkt vendin në 16 më të mirat.

Katër nga pesë ndeshjet e fundit të Celta Vigos në kompeticion janë mbyllur me vetëm një gol diferencë dhe në tre raste spanjollët kanë qenë fitues.

Po ashtu, Celta i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi në Europa League, por Lioni mund të marrë zemër nga fakti që tri nga katër humbjet e Celtës në 2026 kanë qenë në Balaidos.

Të kaltrit kanë rekord 100% kundër skuadrave franceze në Europa League, me fitoret kundër Lilës dhe Nicës në shtëpi gjatë këtij sezoni, të dyja me rezultatin 2-1.

Lioni dominoi fazën e grupit, duke fituar shtatë nga tetë ndeshjet, por në ndeshjen e së enjtes shkojnë pa asnjë fitore në katër ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet.

Humbja e fundit në Europa League ka qenë pikërisht në Spanjë, gjatë fazës së grupit, në nëntor, 2-0 nga Real Betis, por nuk ka humbur asnjë përballje me eliminim kundër skuadrave spanjolle në këtë kompeticion.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›