Europa përballë krizës se naftës, qeveritë e disa vendeve ndërhyjnë në treg, protestojnë shoqatat e transportit

Tensionet në tregun e karburanteve në Europë kanë detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa të reja, ndërsa sektori i transportit po reagon me protesta.
Në Gjermani, autoritetet kanë vendosur rregulla të reja për çmimet e karburanteve, duke kufizuar rritjen e tyre nga operatorët. Sipas ligjit të ri, pikat e karburantit nuk do të mund të rrisin çmimet sa herë të duan, por vetëm një herë në ditë, konkretisht në mesditë, ndërsa uljet mund të bëhen në çdo moment.
Ky vendim vjen si përgjigje ndaj rritjes së fortë të çmimeve, të cilat në të kaluarën ndryshonin edhe disa herë brenda ditës, duke krijuar mungesë transparence për konsumatorët. Shkelësit e rregullave të reja rrezikojnë gjoba deri në 100 mijë euro.
Ndërkohë shtrenjtimi i karburantit ka nxitur reagime të forta në sektorin e transportit në gjithë Europën.
Në Francë, kamionistët kanë dalë në protesta, duke paralajmëruar bllokime rrugësh dhe autostradash në disa zona të vendit. Ata kërkojnë ndihmë direkte nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve, që sipas tyre po rrezikon seriozisht aktivitetin e kompanive të transportit.Protestat janë mbajtur ne qytete si Lion dhe Clermont-Ferrand, ndërsa ka patur zgjerime në rajone të tjera, përfshirë Parisin.
Shoqatat e transportit paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa konkrete, shumë kompani mund të falimentojnë, duke rrezikuar edhe zinxhirët e furnizimit në Europë.Këto zhvillime tregojnë presionin në rritje mbi tregun energjetik dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që çmimet e karburanteve kanë në ekonomi dhe jetën e përditshme të qytetarëve./vizionplus.tv