E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurozone, inflacioni arrin 3.2 përqind/ Lufta në Iran rrit më tej çmimet e energjisë

Çmimet në Eurozonë u përshpejtuan më tej në maj për shkak të kostove më të larta veçanërisht të energjisë. Inflacioni arriti në 3.2% muajin e kaluar, nga 3% që ishte në prill, shumë mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane prej 2%.

Rritja sipas Eurostat u nxit nga energjia që shënoi normën më të lartë vjetore të inflacionit në 10.9% e ndjekur nga shërbimet, çmimet e të cilave u rritën më 3.5 % në maj. Përshpejtimi i inflacionit në Eurozonë përforcon pritshmëritë për një rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane në mbledhjen e qershorit.

Analistët vlerësojnë se ndërhyrja në politikën monetare do të jetë e pashmangshme pasi çmimet e larta të energjisë po depërtojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë duke shtuar presionet inflacioniste.

Edhe nëse lufta përfundon së shpejti sipas tyre, dëmtimi i infrastrukturës energjetike dhe zinxhirëve të furnizimit është bërë tashmë dhe normalizimi pritet të jetë i ngadaltë duke i mbajtur çmimet të larta edhe në gjysmën e dytë të vitit.

Europa është importuese neto e energjisë dhe sektori i saj industrial tashmë i goditur nga humbja e gazit të lirë rus dhe nga tarifat më të larta të Shteteve të Bashkuara po lëkundet.

Nga ana tjetër, panorama e paqartë mbi perspektivën ekonomike për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme i ka bërë familjet europiane që të kursejnë, nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme siç ndodhi gjatë nisjes së luftës Rusi-Ukrainë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›