E Hënë, 2 Nëntor 2026

Evazion fiskal, bar-restoranti në Pogradec fshehu 300,000 euro të ardhura në 5 vjet, bllokohet nga DPT

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) njoftoi të dielën se ka zbuluar një rast të rëndë të evazionit fiskal në qarkun e Korçës. Një bar-restorant në Pogradec, me 16 vite aktivitet, dyshohet se ka fshehur plot 300,000 euro të ardhura gjatë 5 viteve të fundit.

Zbulimi erdhi pas një hetimi të thelluar nga strukturat e specializuara të hetimit tatimor, të cilat fillimisht e identifikuan subjektin përmes analizës së riskut.

Sipas njoftimit të DPT-së, pas vlerësimit të deklarimeve të tatimpaguesit dhe monitorimit në distancë, u ushtrua kontroll nga Task-Forca e Terrenit. Gjatë kontrollit, u sekuestrua njësia kompjuterike, analiza e së cilës konfirmoi fshehjen e të ardhurave.

Përveç fshehjes së qëllimshme të xhiros, u konstatuan edhe shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, përfshirë: Mall pa faturë tatimore; moslëshim fature për klientët; punonjës të padeklaruar.

Tatimet theksojnë se këto shkelje janë tashmë objekt hetimi nga autoritetet përkatëse dhe pritet që ndaj subjektit të merren masa ndëshkuese në përputhje me parashikimet ligjore.

“Përpjekja e Administratës Tatimore për formalizim të vazhdueshëm të biznesit dhe respektimin e ligjit do të vijojë kudo, me të njëjtin ritëm dhe vendosmëri!”, përfundon njoftimi i DPT-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›