Evropa e “mallkuar” për shqiptarët, shpëton vetëm Partizani, Vllaznia e Tirana “lajnë duart”

Partizani ishte i vetmi ekip i kampionatit tonë, nga tre të tillë që ia doli të kualifikohet për në raundin e dytë të Konference League.
Të kuqtë pas barazimit 1 me 1 javën e kaluar në Shqipëri me Marsaxlok, fituan në ekstremin e ndeshjes duelin e kthimit në Maltë 2 me 1, duke vijuar rrugëtimin europian.
Tedi Cara në nisje të pjesës së dytë dhe Albers Keko në minutën e 93 përmbysen avantazhin fillestar të maltezeve.
Tirana nuk e shfrytëzoi dot faktorin fushë, duke u mundur në “Elbasan Arena” nga Torpedo Kutaisi 1 me 0 në një kohë që ndeshja e parë në Gjeorgji ishte mbyllur në barazim 1 me 1.
Paraqitjen më të dobët e beri Vllaznia, e cila pas barazimit 2 me 2 në takimin e parë në Islandë, u mund nga Valur 4 me 0 në “Loro Boriçi”. Shthurja totale e shkodranëve që në pjesën e parë kur morën 3 gola, moment që solli edhe largimin e një pjese të tifozerisë së Vllaznisë në shenjë proteste.
Në fund të ndeshjes trajneri gjerman Tomas Brdaric kërkoi ndjese për këtë paraqitje dhe pranoi se do të rishikohet grupi i lojtarëve për sezonin e ri.
“Dua t’i kërkoj ndjese të gjithëve, tifozëve dhe klubit në përgjithësi. Ishte një performancë e dobët.. Nuk kishim agresivitet, as mbajtje topi, vetëm topa të gjatë. Nuk ishte ajo që kishim përgatitur para ndeshjes. Për ne kjo paraqitje nuk është e pranueshme,. Duhet te shohim e kujdes se çfarë shkoi keq. E vërteta është se duhet te ulemi me drejtuesit që të shohim grupin e lojtarëve për sezonin e ri dhe pse jo të përforcojmë ekipin në merkato”, tha Brdaric.
Hedhja e mjeteve piroteknike në fushë në fund të takimit nga tifozët dhe ndërprerja e përkohshme e sfidës, mund t’i kushtojë një gjobë të majme klubit shkodran./vizionplus.tv