E Hënë, 2 Nëntor 2026

FILIPINE – 70 viktima pas tërmetit të fuqishëm

MANILA, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 70 persona humbën jetën, pas një tërmeti të fortë që tronditi Filipinet qendrore, duke rrëzuar ndërtesa, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke i detyruar banorët të dilnin në rrugë, thanë sot zyrtarët lokalë.

”Mbi 140 persona u plagosën në tërmetin me magnitudë 6,9 ballë Rihter, që goditi provincën qendrore të Cebu dhe provincat përreth të martën në mbrëmje”, tha Agjencia Kombëtare e Fatkeqësive.

Benardo Rafaelito Alejandro IV, zëvendësadministrator për Zyrën e Mbrojtjes Civile, tha se shumica e viktimave u shkaktuan nga rrëzimet e mureve.

”Numri i të vdekurve mund të rritet ende”, shtoi ai, por shprehu shpresën se ”numri nuk do të arrijë tre shifra”.

Ai tha se përparësi ishin operacionet e kërkim-shpëtimit, veçanërisht në Bogo City, epiqendra e tërmetit.

“Ka ende pasgoditje dhe shumë nuk duan të kthehen në shtëpitë e tyre, veçanërisht në Bogo City”, shtoi Alejandro.

Sipas zyrës provinciale për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë, viktimat përfshinin 30 persona në qytetin Bogo, Cebu, ku një rrëshqitje dheu e shkaktuar nga tërmeti varrosi shtëpitë.

Trupat u vendosën jashtë spitalit provincial të Cebus, objektit kryesor mjekësor të komunës, ku të gjithë pacientët duhej të evakuoheshin./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›