E Diel, 1 Nëntor 2026

FINLANDË – Liderët evropianë diskutojnë të ardhmen e Arktikut

ROVANIEM (Finlandë), 14 shtator /ATSH-DPA/  – Liderët evropianë takohen sot në qytetin verior finlandez të Rovaniemit për të koordinuar përpjekjet për të ndikuar në zhvillimet në rajonin e Arktikut.

Samiti do të përqendrohet te rrugët e reja detare që po hapen për shkak të shkrirjes së akullit në Arktik, rezervat e pashfrytëzuara të lëndëve të para dhe kërcënimet e sigurisë që lidhen me aktivitetin ushtarak të Rusisë dhe Kinës.

Në takim pritet të marrin pjesë kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministrat e Estonisë dhe Letonisë, si dhe presidentët e Lituanisë dhe Rumanisë.

Në samit do të jenë gjithashtu shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Frederiksen përballet edhe me interesin e vazhdueshëm të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës.

Presidenti Trump ka argumentuar se Danimarka nuk është në gjendje ta mbrojë ishullin e madh të Arktikut nga Rusia dhe Kina.

Groenlanda nuk është pjesë e Bashkimit Evropian.

Në fillim të kësaj jave, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi për forcimin e bashkëpunimit gjatë një vizite në Groenlandë.

Ajo deklaroi gjithashtu një paketë investimesh prej 200 milionë eurosh, e cila do të përdoret pjesërisht për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për nxjerrjen e lëndëve të para me vlerë.

“Arktiku nuk mund të ndahet më nga Evropa dhe Deti Baltik si hapësirë sigurie”, tha eksperti i sigurisë në Evropën Veriore, Tobias Etzold.

Përveç Danimarkës dhe Norvegjisë, Rusia, Shtetet e Bashkuara  të Amerikës dhe Kanadaja konsiderohen gjithashtu shtete të Arktikut. Komisioni Evropian synon të përdorë rezultatet e samitit për të hartuar strategjinë e re të BE-së për Arktikun.

Finlanda, vendi pritës i takimit, ka theksuar se Arktiku duhet të konsiderohet një “pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e mjedisit të sigurisë së Evropës”.

Helsinki kërkon që në strategjinë e re të përfshihen edhe kapacitetet evropiane të akullthyeseve, të cilat konsiderohen thelbësore për garantimin e rrugëve të furnizimit dhe tregtisë, si dhe për ruajtjen e pranisë ushtarake në rajonet e largëta të veriut.  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›