E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN ME DREJTUESIT E INSTITUCIONEVE KUSHTETUESE NË VEND.

22 qershor 2009

Të nderuar përshëndetje!

E konsideroj këtë takim mjaft të rëdësishëm. Padyshim është një takim pune me përfaqësuesit e institucioneve kushtetuese, por, në pjesën e parë, ku media do të jetë e pranishme, natyrisht do të ketë edhe një mesazh, pasi një nga tiparet kryesore të punës sonë, që është në themel të institucioneve të pavarura, është pikërisht transparenca dhe dhënia e mesazheve të rëndësishme për publikun, në prag të një evenimenti të rëndësishëm historik për Shqipërinë, sikurse janë zgjedhjet e përgjithshme politike të datës 28 qershor. Jemi në javën e fundit të fushatës zgjedhore. Padyshim, në një shtet demokratik pushtetet janë të ndara, por të gjitha sistemet funksionojnë në mënyrë shumë të harmonizuar për t’i dhënë tiparet demokratike të shtetit, të një shteti të fortë, të një shteti i cili konsolidohet çdo ditë, të një Shqipërie që nuk ka në mënyrë absolute, asnjë shans të ketë kthim mbrapa apo të bëjë hap mbrapa. Ne jemi një vend i NATO-s, një arritje e jashtëzakonshme e shoqërisë shqiptare, e institucioneve të Shqipërisë, e politikës shqiptare. Padyshim, jemi një vend që kemi aplikuar për në Bashkimin Evropian, një rrugë e cila do të jetë e sigurt për t’u realizuar me konseguencë. Ajo nuk do të realizohet thjesht me fjalë, por do të realizohet me vullnetin, motivimin, me pjesëmarrjen e partive politike, e institucioneve kushtetuese, institucioneve të pavarura për mbarë shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja që jemi mbledhur sot, pikërisht për të diskutuar rreth nevojës së funksionimit në parametra të plotë të të gjitha institucioneve, në periudhën para zgjedhjeve dhe në periudhën pas zgjedhjeve. Unë nuk besoj që ky blackout i paqëllimshëm që na ndodhi në këtë takim, do të dobësojë forcën e mesazhit që ne dëshirojmë të japim, për atë që mbarë shoqëria ka nevojë. Ka nevojë për funksionimin e institucioneve që, sipas të gjitha parametrave të shtetit ligjor, atyre parametrave që ne i kemi demonstruar, vazhdojmë t’i demostrojmë e që patjetër janë standarde që ne do t’i arrijmë për të qenë të gatshëm, për të qenë pjesë dhe anëtarë të familjes evropiane.

Besoj këto ligjërata ju i keni dëgjuar, ndoshta mund të jenë bërë pjesë edhe e referimeve, por dëshiroj ta them me forcë që roli i institucioneve në këtë periudhë është shumë, shumë i rëndësishëm. Partitë politike, mbi bazën e Kushtetutës, mbi bazën e ligjit zgjedhor, janë në fushatë, zhvillojnë fushatën, kanë interesat e tyre, dhe padyshim, më 28 qershor, do të jenë zgjedhje ku qytetarët e Shqipërisë do të shprehin vullnetin e tyre dhe do të prodhojnë institucionin më të rëndësishëm, Kuvendin e Shqipërisë, legjislativin, i cili prodhon në mënyrë demokratike të gjitha institucionet e tjera, edhe institucionet ku ne bëjmë pjesë, duke filluar nga Presidenti i Republikës dhe të gjitha institucionet që ju përfaqësoni. Por nga ana tjetër, Kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë mbajnë në mënyrë shumë të qartë rolin dhe funksionin e institucioneve të politikës, rolin dhe funksionin e institucioneve të pavarura. Është një ndarje me një balancë, e cila jep pikërisht funksionimin sipas rregullave të forta të demokracisë. Dhe ne, detyrimisht, jo vetëm duhet ta aplikojmë, duhet ta demonstrojmë, duhet patjetër ta transmetojmë tek të gjithë qytetarët e Shqipërisë për t’u garantuar atyre një klimë të qetë parazgjedhore, një klimë të qetë zgjedhore, dhe shumë e rëndësishme, një klimë të qetë paszgjedhore gjithashtu, që do të thotë, që institucionet që juve përfaqësoni, meqënëse ju përfaqësoni jo vetëm pjesën elitare të institucionit, por të tërë infrastrukturën, të tërë rrjetin, dhe janë shumë njerëz, të cilët kanë të drejtën, si çdo qytetar në një vend demokratik, - të shprehin vullnetin e tyre të heshtur, në kuti ose jo, por e kanë detyrim, që në mënyrë absolute, duke qenë pjesë e këtyre institucioneve, të mos demonstrojnë në mënyrë aparente, të mos ndërhyjnë direkt apo psikologjikisht tek qytetarët e thjeshtë. Ky është një rregull, të cilin ne duhet ta përcjellim çdo ditë. Sigurisht, zgjedhjet e datës 28 qershor, - sikurse e thashë, janë një etapë e rëndësishme e një testi të demokracisë, - ne dëshirojmë që të japim një mesazh në radhë të parë për shoqërinë shqiptare, së dyti për partnerët ndërkombëtarë, që çdo ditë e më shumë ne të konsolidojmë institucionet e Shqipërisë, institucionet e pavarura, të cilat dinë të bashkëpunojnë shumë mirë me pushtetin politik.

Rregulli i demokracisë kërkon që të shohim me shumë korrektësi pikërisht ditën e zgjedhjeve. Pavarësisht se kush do të jetë fituesi apo humbësi, rregulli i demokracisë kërkon që pushtetet politike të bashkëpunojnë dhe të japin një mesazh shumë të thjeshtë për qytetarin, që dita e zgjedhjeve nuk është një ditë betejash. Dita e zgjedhjeve, për një vend demokratik, për një vend evropian, një vend i cili aspiron që të jetë shumë shpejt në Bashkimin Evropian, të jetë ditë feste, por mbi të gjitha është mjaft i rëndësishëm administrimi i situatës edhe në periudhën pas zgjedhjeve.

Unë jam i bindur, pavarësisht nga episode të pakëndshme, episode të cilat na kanë shqetësuar të gjithëve, them se në përgjithësi situata ka kaluar e qetë. Shpresoj shumë që kjo javë të demonstrojë që të gjithë janë të përgjegjshëm, janë në lartësinë e detyrës që po realizojnë, dhe mbi të gjitha, të gjithë duhet të sintetizohen në një pikë, që zgjedhjet në datën 28 qershor, të rrisin ndjeshëm seriozitetin e shtetit shqiptar. Dhe padyshim, secili nga ju këtu, mbulon një veprimtari të rëndësishme. Unë nuk dëshiroj të paragjykoj nëse do të ketë episode kontestuese gjithmonë mbi bazën e ligjit, tek Kolegji Zgjedhor, tek Prokuroria apo tek Gjykata. Dëshiroj që gjithçka të shkojë në mënyrë perfekte, por gjithsesi, meqënëse mundësinë e kontestimit e parashikon Kushtetuta, e parashikon ligji, juve duhet të jeni të vëmendshëm të ushtroni përgjegjësitë tuaja me shumë profesionalizëm, me shumë motivacion, dhe me shumë dashuri.

Ana tjetër, ka të bëjë me sigurinë publike. Dëshiroj të ftoj edhe njëherë të gjithë përfaqësuesit e nderuar që janë në këtë tavolinë, që të ushtrojnë në maksimum detyrat dhe detyrimet e tyre, që të garantojnë për publikun, që të garantojnë për çdo lloj institucioni qetësinë e nevojshme për ushtrimin e të gjitha detyrimeve kushtetuese që ka çdo institucion dhe çdo qytetar i thjeshtë. Të mos konsiderohen këto etapa shumë të rëndësishme të demokracisë, si etapa ku mund të shikohet ndonjë ulje e punës së punonjësve nëpër institucione, por të japim një shembull shumë të qartë, sepse zgjedhje do të kemi vazhdimisht, ky është rregulli i demokracisë dhe demokracia vjen nëpërmjet rrugës evolutive. Pra, çdo zgjedhje që ne duhet të kalojmë, duhet ta pjekin demokracinë shqiptare, duhet të konsolidojnë institucionet shqiptare.

Të mos shpresojmë që këto do të jenë zgjedhjet më të mira. Ju siguroj që zgjedhjet e ardhshme do të jenë më të mira se këto zgjedhje që ne bëjmë. Pra, kjo është rruga e konsolidimit të demokracisë së brishtë shqiptare. Kemi kaluar situata të ndryshme në retrospektivë me zgjedhjet. Duhet të bëjmë ç’është e mundur që prova e parë e një vendi që është anëtarësuar në NATO, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme politike dhe institucionale, përgjegjësi e jashtëzakonshme për çdo qytetar. Do të japim testin e demokracisë. Dhe e dyta, që ka të bëjë me një shërbim të thjeshtë, shumë utilitar për çdo qytetar të Shqipërisë, këto zgjedhje realisht do të kushtëzojnë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Pavarësisht nga debatet, pavarësisht nga premtimet, një gjë është shumë e rëndësishme, të kuptohet dhe të kuptosh një mesazh të thjeshtë qytetar: Evropa vështron me shumë kujdes. Nëse këto zgjedhje do të shkojnë ashtu siç ne presim, ju siguroj që gjithçka do të shkojë në mënyrë shumë natyrale drejt procesit të liberalizimit të vizave. Dhe këtë s’ka nevojë ta premtojnë partitë, ne duhet ta premtojmë të gjithë, jemi të interesuar nga Presidenti i Republikës tek të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të rëndësishme për t’i thënë qytetarëve që jo vetëm ne lëvizim të lirë, meqë na keni dhënë besimin, na keni dhënë votën, por duhet të lëvizni edhe ju, sepse është detyrim i yni, sepse na keni dhënë besimin për t’ju përfaqësuar në institucione, që t’ju bëjmë të mundur lëvizjen e lirë, që ka të bëjë me një të drejtë themelore të çdo qytetari, aq më shumë të një qytetari evropian, ose duhet të bëhet një analizë, pra, të ketë një harmoni të plotë mes angazhimeve dhe obligimeve të politikës dhe të institucioneve, dhe predispozicion qytetar i çdo individi, i cili duhet të dijë të respektojë ditën e zgjedhjeve, si një mundësi të jashtëzakonshme për të bërë progres në jetën e tyre, me lëvizjen e lirë, me marrëdhëniet midis institucioneve dhe njerëzve, me rritjen e standardeve ekonomike dhe me rritjen e imazhit të Shqipërisë.

Kjo ishte arsyeja që ne e filluam takimin me praninë e medias, e cila ka qenë gjithmonë e pranishme, e pandarë në këtë proces kaq të rëndësishëm, pa të cilën ne nuk do të mundnim të realizonin lançimin e mesazheve publike tek qytetarët. Unë ju falenderoj që ishit të pranishëm. Dëshiroj të realizoj takimin e punës, që kërkon patjetër edhe konfidencialitetin e vet.

Ju faleminderit shumë!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›