E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – BM konfirmon angazhimin në misionin e NATO-s në Kosovë deri më 2028

LONDËR, 22 tetor /ATSH/ – Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojnë të mbështesin një mision paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë për të paktën tre vjet të tjera, shkruan faqja zyrtare e qeverisë britanike, gov.uk.com.

Britania e Madhe ka kontribuar me vendosmëri në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga hyrja e saj e parë në Kosovë në vitin 1999 si një forcë paqeruajtëse për të sjellë paqe dhe stabilitet pas konfliktit të viteve ’90.

Angazhimi përqendrohet rreth një force rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen në Kosovë për të ndihmuar misionin me një njoftim të shkurtër, nëse është e nevojshme. Vendosja e fundit e madhe e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur misionin u zhvillua në vitin 2023 pas një sulmi të dhunshëm kundër policisë në veri të Kosovës.

Zgjatja e mbështetjes së Britanisë së Madhe për KFOR-in deri të paktën në dhjetor 2028 përmbush qasjen e qeverisë duke rritur njëkohësisht sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Njoftimi vjen ndërsa kryeministri priti sot ‘’Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor’’ në Londër për të diskutuar bashkëpunim më të ngushtë për të trajtuar sfidën e përbashkët të migracionit të parregullt.

‘’Angazhimi i Britanisë së Madhe për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. Duke i dhënë mbështetjen tonë Forcës së NATO-s në Kosovë, ne po demonstrojmë rolin tonë si një aleat kryesor i NATO-s dhe po qëndrojmë pranë vlerave tona të stabilitetit dhe demokracisë. Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është jetik, jo vetëm për stabilitetin rajonal, por edhe për të siguruar sigurinë këtu në vend’’, deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer.

Kosova është një partner i rëndësishëm. Britania e Madhe ka qenë vendi i parë që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.

Misioni ndërkombëtar paqeruajtës i NATO-s, i mbështetur nga më shumë se 30 vende, u krijua pas fushatës ajrore 78-ditore të NATO-s në vitin 1999 kundër Republikës Federale të Jugosllavisë, që synonte parandalimin e një katastrofe humanitare në Kosovë.

Ky mission vjen ndërsa ministria e Mbrojtjes përgatitet të nisë ‘’një kurs të ri të synuar’’ në vendet e Ballkanit Perëndimor i cili do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm, i projektuar për mbrojtjen dhe sigurinë, por edhe duke përfshirë promovimin e rolit të grave në mbrojtje.

Trajnimi i këtij lloji shihet gjerësisht si një nga metodat më efektive që kontribuon në parandalimin e konflikteve dhe do të inkurajonte zhvillimin e një rrjeti partnerësh në rajon, të cilët mund të konsultohen në të ardhmen.

Britania e Madhe do të ftojë Shqipërinë, Bosnjën – Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të marrë pjesë.

‘’Trupat tona kanë kryer qindra misione gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it dhe ky zgjerim i angazhimit tonë do ta mbajë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt. Paqeruatja është një komponent kritik i angazhimit tonë për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar të sigurt brenda dhe të fortë jashtë vendit. Do të doja të falënderoja qindra trupa britanike që mbeten të gatshme të ndërmarrin hapa për të mbajtur Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën të sigurt’’, deklaroi ministri i Mbrojtjes,  Al Carns.

KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa të kontribuara nga më shumë se 30 vende, përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›