E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Danimarka zbulon planet ruse për sabotim ndaj kompanive që mbështesin Ukrainën

KOPENHAGË, 2 shtator /ATSH – ANSA/ – Autoritetet daneze kanë zbuluar plane konkrete nga Rusia për kryerjen e akteve të sabotimit ndaj kompanive në Danimarkë, veçanërisht ndaj sektorit të industrisë së mbrojtjes, raportojnë mediat daneze.

Sipas shërbimit danez të sigurisë dhe inteligjencës, PET, shërbimet sekrete ruse po përgatitin në mënyrë aktive operacione sabotimi që mund të synojnë industrinë daneze të mbrojtjes.

Ndër objektivat potencialë janë kompanitë që prodhojnë armë dhe pajisje për mbështetjen e Ukrainës.

Shefi i kundërzbulimit në PET, Emil Græsholm, paralajmëroi gjithashtu se Rusia po përpiqet të rekrutojë persona në Danimarkë për t’i përdorur në operacione të tilla.

“Është jashtëzakonisht serioze nëse qytetarë danezë ndihmojnë shërbimet sekrete ruse, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije”, deklaroi Græsholm.

PET vlerëson se kërcënimi nga sabotimi fizik rus në Danimarkë është rritur, ndërsa objektivat mund të përfshijnë kompani të lidhura me mbështetjen për Ukrainë. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›