FOKUS – Dhjetëra të vrarë në Damask, Liban dhe Gaza pas sulmeve izraelite

TEL AVIV/BEJRUT, 15 nëntor /ATSH-DPA/ – Të paktën 20 persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në dhe afër kryeqytetit sirian Damask, ndërsa Izraeli nisi sulme në objektiva në fronte të shumta.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se ”sulmet kishin goditur ndërtesa në dy lagje në kryeqytetin sirian Damask, Mezzeh dhe Qudsaya”.
”Vdekjet përfshinin të paktën tre anëtarë të grupit të Xhihadit Islamik Palestinez dhe tre civilë”, raportoi observatori me qendër në BM.
Ai tha se Izraeli ka kryer gjithsej 149 sulme në Sirinë e shkatërruar nga lufta këtë vit.
Izraeli ka bombarduar objektiva në Siri për të parandaluar Iranin dhe milicitë aleate të tij që të zgjerojnë ndikimin e tyre ushtarak në vend.
Sulmet izraelite në Siri janë shtuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit të kaluar.
”Disa njerëz u vranë gjithashtu në sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë 24 orëve të fundit”, raportuan mediet palestineze.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA tha se zjarri izraelit pranë qytetit të Gazës vrau katër palestinezë në mëngjes, ndërsa ushtria izraelite deklaroi se po hetonte raportin.
Më parë, ushtria izraelite raportoi se dhjetëra njerëz ishin vrarë të mërkurën në zonat e Beit Lahia dhe Jabalia, duke i përshkruar ata si terroristë.
Të dy lokacionet, si qyteti i Gazës, ndodhen në pjesën veriore të brezit bregdetar të sulmuar.
“Trupat gjetën një sasi të madhe armësh dhe eliminuan dhjetëra terroristë nga ajri dhe nga toka”, tha ushtria izraelite.
Ndërkohë, autoriteti shëndetësor i kontrolluar nga Hamasi tha se 24 palestinezë u vranë në brez në 24 orët e fundit për shkak të luftimeve.
Raportet nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe luftëtarëve./ a.jor.