E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Estonia ndalon tranzitin e drithërave ruse dhe bjelloruse përmes territorit të vendit

TALIN, 1 tetor / ATSH/ – Estonia ka ndaluar tranzitin e drithërave ruse dhe bjelloruse përmes territorit të saj, në një masë parandaluese të ndërmarrë në një kohë kur Rusia po kërkon rrugë të reja për eksportin e drithërave.

Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, njoftoi se paralajmërimi i bërë në shtator për të mos planifikuar transportin e drithërave ruse përmes Estonisë tashmë është kthyer në ligj.

Sipas transmetuesit publik estonez ERR, transporti i drithërave ruse përmes Estonisë ka qenë deri tani pothuajse inekzistent, ndaj vendimi konsiderohet kryesisht një masë parandaluese.

Estonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po bashkëpunon me Letoninë dhe Lituaninë për të parandaluar që portet e vendeve baltike të shndërrohen në rrugë tranziti për eksportet ruse.

Në shtator, kryeministri letonez Andris Kulbergs deklaroi se Rusia po kërkon rrugë të reja për eksportin e drithërave dhe po ushtron presion më të madh mbi infrastrukturën e vendeve baltike, për shkak të mundësive të kufizuara për përdorimin e porteve të Detit të Zi.

Letonia ka rritur ndërkohë tarifat e tranzitit për drithërat ruse që kalojnë nëpër territorin e saj, ndërsa parlamenti ka nisur shqyrtimin e një ndalimi të plotë.

Masa e Estonisë vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, ndërsa lufta në Ukrainë po hyn në dimrin e pestë. Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›