FOKUS – Evropa në kaos, vala e të ftohtit paralizon trafikun ajror

AMSTERDAM, 6 janar /ATSH/- Më shumë fluturime do të anulohen, trenat do të vonohen dhe rrugët do të bllokohen nga bora në të gjithë Evropën në ditët në vijim, pasi një valë e te ftohtit pritet të përkeqësohet, duke sjellë edhe më shumë reshje dëbore pas disa ditësh ndërprerjesh të udhëtimeve, sipas “Reuters”.
Autoritetet në Holandë u thanë qytetarëve të qëndronin në shtëpi të mërkurën, pasi një stuhi e re dëbore pritet të mbërrijë gjatë natës.
Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot tha sot kompanitë e linjave ajrore ishin urdhëruar të anulonin të paktën 40% të fluturimeve në aeroportin kryesor “Charles de Gaulle: të Parisit mëngjesin tjetër dhe një të katërtën e fluturimeve në aeroportin “Orly”
“Transporti publik në rajonin e Parisit ndoshta do të ndërpritet gjithashtu nga bora”, shtoi ai.
Në Schiphol të Amsterdamit, ku më shumë se 400 fluturime u anuluan sot, autoritetet u thanë udhëtarëve, fluturimet e të cilëve ishin anuluar, të qëndronin larg aeroportit për të parandaluar mbipopullimin.
“Nuk kemi përjetuar kushte kaq ekstreme të motit prej shumë vitesh,” tha zëdhënësja e linjës ajrore holandeze KLM, Anoesjka Aspeslagh.
“Moti dimëror paralizoi trafikun në një nga qendrat kryesore të tranzitit të Evropës për të pestën ditë me radhë”, shtoi ajo.
Në Gjermani, temperaturat shënuan sot minus 10 gradë Celsius në jug dhe lindje.
Pjesa më e madhe e vendit ishte e mbuluar me borë.
Në Britani të Madhe, Zyra Meteorologjike tha se rreziqet e motit dimëror mund të vazhdojnë gjatë gjithë javës në pjesën më të madhe të vendit.
Temperaturat gjatë natës ranë deri në minus 12,5 gradë Celsius në Marham, Norfolk, në Anglinë lindore, duke shënuar natën më të ftohtë të dimrit deri më tani.
Bora dhe shiu i rrëmbyeshëm kanë shkaktuar gjithashtu kaos në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke mbyllur rrugët, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke shkaktuar përmbytje të lumenjve.
Një grua vdiq dje në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë pasi një pemë e mbingarkuar me borë ra mbi të. //a.i/