FOKUS – Franca, vendi i parë në BE që hap konsullatë në Groenlandë

PARIS, 6 shkurt /ATSH-DPA/- Franca njoftoi sot se është vendi i parë në Bashkimin Evropian që ka hapur një konsullatë në Groenlandë.
“Jean-Noël Poirier, konsulli i përgjithshëm francez në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, filloi sot detyrën e tij. Ai do të jetë përgjegjës, ndër të tjera, për forcimin e lidhjeve politike me vendimmarrësit vendas”, tha Ministria e Jashtme Franceze, në një postim në X.
Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi planet për konsullatën në Nuuk, qershorin e kaluar, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se donte të merrte kontrollin e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës.
Konflikti mbi ishullin Arktik u përshkallëzua kohët e fundit kur Trump kërcënoi se do ta aneksonte atë, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.
Në një takim në Davos të Zvicrës muajin e kaluar, Trump tërhoqi kërcënimet e tij për të përdorur forcën ushtarake dhe gjithashtu hoqi tarifat ndëshkuese kundër disa vendeve evropiane që kishin kundërshtuar përpjekjet e tij për të blerë Groenlandën.
Danimarka dhe SHBA-ja po përpiqen të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve. //a.i/