FOKUS – Irani reagon ndaj kërcënimit amerikan për sulme të tjera izraelite

TEHERAN, 30 dhjetor / ATSH-DPA/ – Irani lëshoi sot një paralajmërim të ashpër si reagim ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse vendi refuzonte një marrëveshje të re bërthamore.
“Republika Islamike e Iranit do të përgjigjet në mënyrë të qëndrueshme ndaj çdo agresioni dhe do t’i bëjë agresorët të pendohen për veprimet e tyre”, shkroi presidenti iranian Masoud Pezeshkian në platformën sociale X.
Më parë, një këshilltar i udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi gjithashtu SHBA-në dhe Izraelin se çdo sulm do të provokonte një përgjigje të fortë iraniane.
Ali Shamkhani tha në një postim në X se Irani nuk ka nevojë për leje nga shtetet e tjera për kapacitetet e tij të raketave apo për mbrojtjen e vetvetes.
Gjatë një takimi dje me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, presidenti Trump tha se do të mbështeste sulme të mëtejshme izraelite ndaj Iranit nëse Teherani refuzon një marrëveshje të re bërthamore dhe vazhdon avancimin e programeve të tij raketore dhe bërthamore.
Izraeli zhvilloi luftë ndaj Iranit për 12 ditë në qershor, duke bombarduar objektiva kyç bërthamore në vend së bashku me SHBA-në.
Megjithëse u vendos një armëpushim, një zgjidhje diplomatike për konfliktin midis armiqve të përbetuar nuk duket në horizont, dhe raporte në të dy vendet kanë përhapur mundësinë e rifillimit të luftës.
Sipas informacioneve izraelite, Irani po punon intensivisht për rindërtimin e arsenaleve të tij raketore, të cilat, së bashku me programin bërthamor, konsiderohen nga Izraeli si një kërcënim i madh./ /Ad.Ab./