E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Izraeli godet Bejrutin, zhvendos trupat nga Gaza në kufirin libanez

TEL AVIV/ BEJRUT, 11 mars /ATSH-DPA/- Sulmet ajrore izraelite goditën sot në mëngjes qendrën e Bejrutit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën katër personave, ndërsa rriten shqetësimet për një ofensivë tokësore izraelite në Liban.

Mediet libaneze publikuan pamje të disa kateve të shkatërruara të një ndërtese banimi në kryeqytet.

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur fillimisht se katër persona të tjerë kishin mbetur të plagosur nga sulmi.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer sulme në jug të Bejrutit, në zonën Dahiyeh, duke shënjestruar qendra komanduese dhe depo armësh të milicisë libaneze “Hezbollah”, e cila është aleate e Iranit.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi se sulmet vazhduan edhe në jug të vendit dhe në Luginën Bekaa në lindje, ku sipas zyrtarëve u vranë të paktën shtatë persona dhe u plagosën 18 të tjerë.

Hezbollah njoftoi se kishte sulmuar disa herë me raketa trupat izraelite, në jug të Libanit të martën në mbrëmje dhe gjatë gjithë natës.

Ndërkohë, ndërsa përplasjet në kufi vazhdojnë, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, urdhëroi transferimin e trupave nga Rripi i Gazës drejt kufirit me Libanin.

Brigada Golani, e cila ka qenë e dislokuar disa herë në Gaza që nga fillimi i konfliktit Izrael–Hamas rreth dy vjet e gjysmë më parë, do të zhvendoset në veri për të përforcuar Komandën Veriore të Izraelit.

Hezbollahu nisi sulme të shënjestruara ndaj Izraelit rreth një javë më parë në mbështetje të Teheranit, mes ofensivës së përbashkët SHBA–Izrael kundër Iranit.

Këto ishin sulmet e para të milicisë që nga hyrja në fuqi e një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin në nëntor 2024.

Megjithatë, pavarësisht armëpushimit, Izraeli ka vazhduar të godasë objektiva të Hezbollahut, duke argumentuar se grupi nuk po respektonte marrëveshjen dhe po përpiqej të riarmatosej.

Nga ana tjetër, Hezbollahu ka akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›