E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Kamionistë nga Ballkani bllokojnë kufijtë e BE-së për shkak të rregullave të qëndrimit

BEOGRAD, 26 janar /ATSH-DPA/ – Shoferët e kamionëve nga Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po protestojnë kundër rregullave të rrepta të qëndrimit në BE duke bllokuar kalimet kufitare.

”Që nga mesdita e sotme, shoferët kanë ndaluar trafikun e mallrave në kufijtë e vendeve të tyre me fqinjët e BE-së, Hungarinë, Kroacinë dhe Bullgarinë”, raporton media serbe.

Veprimi drejtohet kundër zbatimit gjithnjë e më të rreptë të një rregulloreje të BE-së për qëndrimin, sipas së cilës shtetasit joBE nga vendet evropiane lejohen të qëndrojnë në BE vetëm 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Shoferët e kamionëve që udhëtojnë pothuajse çdo ditë midis vendit të tyre dhe shteteve të BE-së thonë se kjo rregullore është praktikisht e pamundur për t’u respektuar.

Rregulli ekziston prej kohësh, por më parë nuk zbatohej për shoferët e kamionëve dhe punonjësit që kalojnë kufirin çdo ditë.

Situata ndryshoi kur autoritetet kufitare të BE-së filluan të përdorin kompjuterë për të regjistruar hyrjet e shtetasve joBE në kufijtë e jashtëm, duke regjistruar saktësisht kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre.

Shoqatat e transportit nga Ballkani ankohen se muajt e fundit qindra shoferë kamionësh janë ndaluar nga policia në vendet e BE-së për tejkalim të kohës së qëndrimit të lejuar dhe janë deportuar si migrantë të parregullt.

“Nëntëdhjetë ditë brenda gjashtë muajsh thjesht nuk mjafton”, tha Nedjo Mandiç nga Shoqata Serbe e Transportit për televizionin serb “N1”.

“Shoferët tanë nuk mund të fitojnë mjaftueshëm para në këtë periudhë, nuk mund të mbulojmë kostot tona dhe jemi të detyruar të ndalojmë operacionet”, shtoi ai.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel tha se BE-ja është e vetëdijshme për shqetësimet e shprehura nga kompanitë e transportit në rajonin e Ballkanit.

“Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga operatorët e transportit në Ballkanin Perëndimor. Po ndjekim situatën nga afër dhe jemi në kontakt me partnerët tanë në rajon”, tha ai./   /Ad/.Ab./ a.jor

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›