FOKUS – Katari: Rajoni drejt një përshkallëzimi të pakontrollueshëm

KAJRO, 8 prill /ATSH-DPA/ – Katari paralajmëroi se rajoni është shumë pranë një përshkallëzimi që “nuk mund të kontrollohet”, vetëm disa orë përpara afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump që Irani të arrijë një marrëveshje.
“Ne kemi paralajmëruar që nga viti 2023 se përshkallëzimi i pakontrolluar do të na çojë në një situatë ku nuk mund të menaxhohet dhe jemi shumë pranë asaj pike”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari.
“Kjo është arsyeja pse kemi nxitur të gjitha palët të gjejnë një zgjidhje, një mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte përpara se të dalë jashtë kontrollit”, shtoi ai.
“Vazhdimi i kësaj lufte në këtë formë do të thotë vetëm më shumë kosto për popullin e rajonit, për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për ekonominë globale dhe për tregjet ndërkombëtare të energjisë”, deklaroi al-Ansari për gazetarët në Doha.
Katari dhe aleatë të tjerë të SHBA-së në rajonin e Gjirit kanë qenë nën sulme të vazhdueshme nga Irani që nga nisja e luftës nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt.
Vendet e Gjirit kanë theksuar se nuk janë pjesë e konfliktit dhe po përqendrohen në mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të tyre.
Al-Ansari shtoi se Katari ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me administratën Trump që përpara se ajo të merrte detyrën, si pjesë e përpjekjeve për ndërmjetësim mes Hamasit dhe Izraelit.
“Kemi komunikim të përditshëm me bashkëbiseduesit tanë në SHBA dhe po punojmë shumë ngushtë me ta, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vendit tonë,” përfundoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.