FOKUS – Kievi dhe Moska akuzojnë njera-tjetrën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve

KIEV, 20 prill, /ATSH-DPA/ – Moska dhe Kievi shkëmbyen akuza të dielën për shkelje të armëpushimit të Pashkëve, me të dyja palët që raportuan sulme masive me dronë dhe artileri.
Në përditësimin e tij të pasdites, komandanti i Përgjithshëm ukrainas Oleksandr Syrskyi theksoi se granatimet ruse dhe përdorimi i dronëve kamikaze ishin vërejtur.
“Operacionet më aktive ruse këtë mëngjes u kryen në drejtimet Pokrovsk dhe Siversk. Në këto dhe disa zona të tjera të frontit, Rusia vazhdon të përdorë armë të rënda”, theksoi gjenerali, duke iu referuar rajonit lindor të Ukrainës, Donetsk.
Ai tha se në 12 orët deri në mesditë kishte pasur 26 sulme.
“Ose presidenti rus Vladimir Putin nuk ka kontroll të plotë të ushtrisë së tij, ose situata tregon se Rusia nuk ka ndërmend të ndërmarrë një hap konkret drejt përfundimit të luftës dhe është e interesuar vetëm për mbulim të favorshëm mediatik”, theksoi ai, duke iu referuar deklaratës së njëanshme të Putinit për një armëpushim të Pashkëve. /os/