E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Kolumbia ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin

BOGOTA, 25 shtator /ATSH/ – Kolumbia ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Iranin, një vendim që ishte marrë më 19 shtator dhe u bë publik sot nga Ministria e Jashtme kolumbiane, sipas “El Pais”.

Qeveria kolumbiane tha se vendimi lidhet me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe të hemisferës, si dhe me luftën kundër krimit ndërkombëtar.

Bogota përmendi ato që i cilësoi si lidhje të dyshuara të qeverisë iraniane me grupe terroriste dhe narkoterroriste.

Në arsyetimin e saj, Kolumbia përmendi gjithashtu shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran, sulmet ndaj vendeve që nuk janë pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme, bllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe pengimin, sipas saj, të punës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për verifikimin e programit bërthamor iranian.

Ministria e Jashtme kolumbiane tha se këto zhvillime kanë dëmtuar besimin e Bogotas ndaj qeverisë iraniane.

Megjithatë, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk nënkupton ndërprerjen e marrëdhënieve konsullore.

Sipas autoriteteve kolumbiane, shërbimet konsullore do të vazhdojnë në përputhje me Konventat e Vjenës.

Në një vendim tjetër, Kolumbia e ka shpallur Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) organizatë terroriste dhe ka njoftuar masa më të forta kontrolli ndaj personave të lidhur me të. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›