FOKUS – Koreja e Veriut planifikon ndërtimin e një shkatërruesi 10,000 tonësh

SEUL, 6 qershor /ATSH/- Koreja e Veriut ka planifikuar të ndërtojë një anije luftarake ushtarake të flotës detare (shkatërrues) 10,000 tonësh si dhe armë sekrete nënujore, raportoi sot media shtetërore, përpara vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, sipas “Reuters”.
Gazeta “Rodong Sinmun”, duke raportuar për një test detar, të zhvilluar të enjten, nën mbikëqyrjen e liderit Kim Jong Un, tha se ai ka urdhëruar marinën të dislokojë shkatërruesin “Kang Kon” dhe një anije tjetër luftarake prej 5,000 tonësh, “Choe Hyon”, sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas Hong Min, një analist i lartë në “Institutin për Unifikimin Kombëtar të Koresë së Jugut”, kjo është hera e parë që Koreja e Veriut përmend publikisht, një plan për ndërtimin e një shkatërruesi 10,000 tonësh.
Ai tha se Kim mund të kërkojë të demonstrojë aftësitë ushtarake të vendit, para vizitës së Xi Jinping të planifikuar për të hënën dhe të martën.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut theksoi se Pheniani duhet të forcojë aftësitë detare, për të penguar një luftë bërthamore, duke kërkuar gjithashtu kapacitete të fuqishme ushtarake, në tokë, det dhe ajër, sipas gazetës.
Xi Jinping po kryen vizitën e tij të parë, në Korenë e Veriut pas gati shtatë vitesh, ndërsa Pekini synon të forcojë marrëdhëniet me Phenianin, aleatin e tij të vetëm me traktat formal.
Para njoftimit të vizitës, Kim bëri thirrje për zgjerim “eksponencial” të arsenalit bërthamor, gjatë një vizite në një fabrikë të re, të prodhimit të materialeve bërthamore.
Gjatë inspektimit të anijeve, Kim u shoqërua nga vajza e tij, Ju Ae, sipas imazheve të publikuara nga media shtetërore.
Koreja e Veriut njoftoi në maj të vitit 2025, se një shkatërrues 5,000 tonësh ishte rrëzuar pjesërisht, gjatë një ceremonie lëshimi në portin Chongjin.
Kim e cilësoi incidentin një “akt kriminal” të papranueshëm.
Pas riparimeve në portin Rajin, anija u riemërtua “Kang Kon” në një ceremoni të dytë lançimi, në muajin pasues. //a.i/