FOKUS – Krizë besimi mes Uashingtonit dhe Tel Avivit, alarm për spiunazh

UASHINGTON, 7 qershor )ATSH- ANSA/ – I dërguari i Donald Trumpit, Steve Witkoff, Elbridge A. Colby, përgjegjësi kryesor për politikat e Pentagonit, si dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Michael P. DiMino IV.
Këta janë disa nga emrat e zyrtarëve që, sipas inteligjencës amerikane, kanë qenë në shënjestër të shërbimeve izraelite për të siguruar informacione mbi luftën kundër Iranit.
Alarmi është ngritur nga një agjenci e Departamentit amerikan të Mbrojtjes, e cila ka çuar në nivelin më të lartë masat kundër spiunazhit ndaj këtij aleati.
Sipas tre zyrtarëve amerikanë që folën për NBC News, ky hap u ndërmor pasi Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (Defense Intelligence Agency) e Pentagonit vuri re një intensifikim të aktiviteteve në një periudhë tensionesh në rritje mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me strategjinë që duhet ndjekur në luftën kundër Iran, si dhe pas një përplasjeje të ashpër mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu.
Zyrtarët e përmendur konsiderohen gjithashtu objektiva veçanërisht të cenueshëm për shkak të zakonit të tyre për të udhëtuar me avionë privatë, për të menaxhuar çështje të sigurisë kombëtare përmes telefonave personalë dhe për të refuzuar mbështetjen e personelit të ambasadave amerikane jashtë vendit.
Në një dokument prej shtatë faqesh, të shoqëruar me një grafik, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së Pentagonit shpjegon se aftësia e Izraelit për të kryer aktivitete spiunazhi dhe mbledhjeje informacioni është rritur në nivele shqetësuese gjatë periudhës së fundit dhe sjell një sërë shembujsh në mbështetje të këtij vlerësimi.
Megjithëse është praktikë e zakonshme që aleatët dhe kundërshtarët në mbarë botën të spiunojnë njëri-tjetrin, zyrtarët që folën për NBC News pohuan se operacionet e fundit izraelite kanë shkuar shumë përtej praktikave normale dhe të parashikueshme të inteligjencës.
Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Uashington mohoi çdo lloj aktiviteti kundër zyrtarëve amerikanë, duke theksuar se: “Shërbimet e inteligjencës veprojnë kundër armiqve, jo kundër aleatëve.
Pentagoni nuk pranoi të komentojë, ndërsa White House e cilësoi të gjithë çështjen si të pavërtetë.
Megjithatë, një nga zyrtarët zbuloi se figura si kryenegociatori Witkoff dhe të tjerë “po marrin tashmë masa shtesë sigurie kur udhëtojnë drejt Izraelit”. /os/