E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Lavrov i kërkon Rubios ndalimin e dërgesave të armëve për Ukrainën

MANILA, 23 korrik /ATSH-ANSA/ – Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilluan një takim që zgjati mbi 30 minuta në Manila, në kuadër të aktiviteteve të ASEAN-it.

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, gjatë bisedimeve u trajtuan çështje rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë situatën në Gji, ndërsa një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua konfliktit në Ukrainë.

Moska bëri të ditur se Lavrov e informoi Rubion mbi atë që e cilësoi si “situata reale” përgjatë vijës së frontit dhe theksoi se është “e papranueshme vazhdimi i furnizimit me armë të regjimit të Kievit”.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme ruse, Lavrov ritheksoi gatishmërinë e Rusisë për të arritur një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, si edhe mbështetjen e Moskës për propozimet e paraqitura nga pala amerikane gjatë takimit mes presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump në Alaska.

Një ditë më parë, Lavrov kishte deklaruar se Rusia niset nga supozimi se Uashingtoni nuk i ka braktisur ende propozimet e diskutuara në atë takim.

Para takimit me Lavrovin, Marco Rubio refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve amerikanë.

Një gazetare e pyeti nëse do të kërkonte sqarime nga homologu rus lidhur me pretendimet se Rusia po ndihmon Iranin në sulmet ndaj objektivave të caktuara, por sekretari amerikan i Shtetit nuk dha asnjë koment./  /Ad.Ab/ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›