FOKUS – Macron: Dialogu me Putinin jo çështje ditësh

PARIS, 13 shkurt /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se nuk ka asnjë urgjencë për të nisur dialogun me presidentin rus, Vladimir Putin duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve evropiane.
“Nuk është çështje ditësh, po i përgatitim gjërat”, deklaroi presidenti francez pas një samiti jozyrtar në Belgjikë.
“Mendoj se tani duhet të punojmë mbi atë që duam të kërkojmë”, shtoi ai.
Macron kishte njoftuar në dhjetor se dëshironte të rifillonte shkëmbime direkte me homologun e tij rus, të cilat ishin ndërprerë gjerësisht për shkak të luftës në Ukrainë, dhe në fillim të shkurtit dërgoi këshilltarin e tij diplomatik në Moskë për t’i përgatitur ato.
”Ky diskutim me Vladimir Putin duhet të përgatitet midis evropianëve në mënyrë që, në momentin e duhur, të jemi të gatshëm”, vlerësoi presidenti francez..
“Dhe ne çfarë duam? Duam garanci sigurie për Ukrainën, por gjithashtu duam diçka edhe për evropianët”, shtoi Macron.
Ndër prioritetet ai përmendi çështjet e prosperitetit, të ardhmen e Evropës dhe arkitekturën e sigurisë./ /Ad.Ab./ a.jor.