FOKUS – Manovra të përbashkëta detare ruso-kineze në Detin e Japonisë

MOSKË, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Rusia dhe Kina do të nisin të premten manovra të përbashkëta ushtarake në Detin e Japonisë, njoftoi Flota Ruse.
Manovrat, të cilat janë pjesë e serisë “Ndërveprimi Detar”, do të zhvillohen nga 1 deri më 5 gusht dhe përshkruhen nga Moska si thjesht mbrojtëse dhe jo të drejtuara kundër ndonjë vendi.
Sipas raporteve të mediave shtetërore sot, duke cituar Flotën e Paqësorit, qëllimi i tyre është të forcojnë bashkëpunimin dhe të lehtësojnë shkëmbimin e njohurive midis forcave detare ruse dhe kineze.
Manovrat do të përfshijnë nëndetëse, aviacion detar dhe anije.
Aktivitetet do të përfshijnë operacione të përbashkëta kërkim-shpëtimi, ushtrime kundër nëndetëseve dhe mbrojtje ajrore, si dhe qitje me artileri të drejtpërdrejtë në një zonë të caktuar trajnimi, njoftoi flota ruse.
Qendra komanduese për këtë operacion ndodhet në qytetin portual të Vladivostokut.
Moska dhe Pekini kanë zhvilluar rregullisht stërvitje të përbashkëta detare që nga viti 2012.
Rusia ka theksuar interesin e saj për të demonstruar vazhdimisht fuqinë e saj ushtarake në rajon, veçanërisht në dritën e asaj që e konsideron si rritje të aktivitetit amerikan në Paqësor.
Kremlini gjithashtu synon të japë sinjal se ushtria e tij mbetet e aftë për operacione globale, pavarësisht pushtimit në vazhdim të Ukrainës. /Ad.Ab./