E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Mbi 250 000 banorë të larguar forcërisht nga Gaza

GAZA, 13 shtator /ATSH-AFP-DPA/ – Ushtria izraelite tha sot se më shumë se 250 000 banorë ishin larguar nga Qyteti i Gazës në javët e fundit për në pjesë të tjera të territorit palestinez, pas një intensifikimi të bombardimeve dhe bastisjeve izraelite.

Izraeli i ka paralajmëruar të gjithë banorët e qytetit të Gazës të largohen menjëherë në pritje të një ofensive të madhe tokësore, sipas BBC.

Nga ana e saj, Mbrojtja Civile në Rripin e Gazës raportoi pesë palestinezë të vrarë që nga agimi, pas bombardimeve izraelite, vetëm një ditë pas vdekjes së të paktën 50 personave në të gjithë territorin e shkatërruar nga 23 muaj luftë.

“Sipas vlerësimeve të ushtrisë, më shumë se një e katërta e një milion banorëve të Qytetit të Gazës janë larguar për sigurinë e tyre”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee për X.

Sipas vlerësimeve të fundit të OKB-së, afërsisht një milion palestinezë jetojnë në dhe përreth Qytetit të Gazës, qytetit më të madh të territorit.

Ushtria thotë se dëshiron të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës, të cilin e paraqet si një nga fortesat e fundit të lëvizjes islamiste palestineze Hamas.

Forcat Ajrore Izraelite lëshuan sot fletëpalosje duke u bërë thirrje banorëve të lagjeve perëndimore të qytetit të evakuohen, ndërsa Mbrojtja Civile lokale raportoi vazhdimin e sulmeve ajrore.

“Ushtria po vepron me forcë në zonën tuaj dhe është e vendosur të shpërbëjë dhe mposhtë Hamasin”, shkruhej në fletëpalosje.

“Për sigurinë tuaj, evakuohuni menjëherë nëpërmjet rrugës ‘al-Rashid’ në jug. Ju jeni paralajmëruar”, shtohej në të.

Veçmas, zyra e medias e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës vlerësoi se numri i njerëzve që kishin ikur në zona nominalisht më të sigurta ishte rritur në 350 000, nga një raport i mëparshëm prej rreth 65 000.

Asnjë nga këto shifra, ose informacione të tjera nga zona e konfliktit, nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›