FOKUS – Më thuaj çfarë dëgjon dhe të them kush je: lidhja mes playlist-it dhe IQ-së

NJU JORK, 30 mars /ATSH/ – Nëse do t’ju kërkonin të imagjinonit playlist-in Spotify të një intelektuali modern, çfarë zhanresh muzikore do të prisnit të dëgjonit? Me siguri menduat për muzikë klasike, lirike apo jazz. Epo… jo: sipas një studimi aftësitë tona konjitive nuk janë melodia dhe ritmi, por tekstet e këngëve që zgjedhim të dëgjojmë, shkruan focus.it.
Dëgjimi i muzikës është një aktivitet shumë i zakonshëm i përditshëm që përfshin shumë rrjete të trurit të lidhura me kujtesën, emocionet dhe përpunimin e tingujve.
“Donim të shihnim nëse zakonet në një aktivitet të përditshëm dixhital mund të zbulonin ndryshime në aftësitë njohëse”, shpjegon koordinatorja e kërkimit, Larissa Sust.
Për këtë arsye, autorët monitoruan këngët e dëgjuara nga 185 pjesëmarrës përmes smartphone-it të tyre për pesë muaj, duke analizuar melodinë, ritmin dhe tekstet.
Më pas, u kërkua vullnetarëve të plotësonin disa teste të shkurtra të aftësive njohëse direkt në telefon, duke matur aftësinë e arsyetimit, kuptimin e fjalorit dhe njohuritë matematikore — tre faktorë që së bashku përcaktojnë inteligjencën e përgjithshme të një personi.
Dëgjon këngë të trishta? Mund të jesh më inteligjent se mesatarja
Me ndihmën e modeleve kompjuterike, studiuesit lidhën karakteristikat e më shumë se 58.000 këngëve me rezultatet e testeve njohëse. U zbulua një lidhje e qartë mes llojit të teksteve dhe aftësisë njohëse të dëgjuesve.
Në veçanti, ata që dëgjonin këngë më të trishta dhe melankolike, që trajtonin tema si e tashmja, shtëpia dhe sinqeriteti, kishin tendencë të merrnin rezultate më të larta në testet e inteligjencës.
Në të kundërt, ata me rezultate më të ulëta preferonin tekste me shumë referenca sociale ose me gjuhë të pasigurt (plot me “ndoshta”, “mundet”, “me gjasë”).
Playlist dhe inteligjenca: studimi që zbulon lidhjen (por ka një “truk”)
Para se të nxitoni të ndryshoni playlist-in për t’u dukur si Ajnshtajni, një sqarim: lidhja e gjetur është vetëm një korelacion. Kjo do të thotë që dëgjimi i muzikës melankolike nuk ju bën më inteligjentë, dhe as që jeni gjeni vetëm sepse dëgjoni këngë të caktuara.
Fuqia parashikuese e zakoneve muzikore është e kufizuar: asnjë aplikacion nuk mund të gjykojë inteligjencën tuaj vetëm nga playlist-i.
Faktorë të tjerë, si mosha, mund të kenë ndikuar si në rezultatet njohëse ashtu edhe në shijet muzikore. /os/